Ndalohet lëvizja në tërësi në Vodno dhe Malin e Zi të Shkupit

Qyteti i Shkupit ka njoftuar se për shkak të rritjes së rrezikut nga zjarret nga temperaturat e larta dhe fazës së portokalltë që e ka kapluar rajonin, zjarreve të shumta aktive, është vendosur ndalesë e tërësishme për lëvizje në Vodno dhe Malin e Zi të Shkupit.

Me kërkesë të kryetarit të Shkupit, Petre Shilegov Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nga sot (3 gusht 2021, e martë) ka vendosur ndalesë të tërësishme për lëvizje në Vodno dhe Malin e Zi të Shkupit, transmeton TV21.

“Apelojmë deri te të gjithë qytetarët të respektojnë ndalesën dhe të mos qarkullojnë në rajonet e vendit për shkak të mbrojtjes personale dhe për shkak të parandalimit për shpërndarje të mëtutjeshme të zjarreve. Nëse vëreni zjarre, paraqiteni në numrin e telefonit të Brigadës së Kundërzjarrit 193 apo edhe në Qendrën për Menaxhim me Kriza 195”, thuhet në njoftimin e Qytetit të Shkupit.

Nga sot, lëvizja ndalohet në të gjitha pyjet e Maqedonisë së Veriut./TV21