NBA, Houston mposht kampionët në fuqi, fitojnë Washington e Denver

Ishin vetëm 4 sfidat në mbrëmjen e NBA, ku vëmendjen më të madhe e mori dueli i zhvilluar në Scotiebank Arena mes kampionëve në fuqi të Toronto Raptors dhe Houston Rockets. James Harden me shokë arritën një fitore të madhe në parketin e Torontos me shifrat 119-109. Diferencën megjithatë nuk e bëri James Harden por 26-vjeçari Ben McLemore autori i 26 pikëve në këtë superduel. Një dorë gjithsesi në fitoren e 14-të sezonale Houston e mori edhe nga mjekëroshi Harden autori i 23 pikëve 7 rikuperimeve poshtë tabelës dhe 3 asisteve. Në krahun tjetër kanadezëve të cilët pësuan humbjen e 2-të rresht dhe të 6-ën në 15 takime nuk u mjaftuan 24 pikët e kamerunasit Pascal Siakam. Në ndeshjet e tjera Washington kaloi me rezultatin 119-113 Philadelphia 76-ers, Denver Nuggets triumfoi në transfertë ndaj New York Knicks me rezultatin e thellë 129-92, ndërkohë që New Orleans Pelicans u mposht pas kohës shtesë me rezultatin 132-139 nga Phoenix Suns.