Naser Berisha: Nuk mund t’i thuash vetes artist, e nuk di të luash së paku një instrument

Para disa muajsh këngëtari i njohur shqiptar Naser Berisha ka lansuar albumin e tij muzikor të titulluar “Epikë”.

Së fundmi, në një intervistë ekskluzive për lajmi.net, artisti foli rreth aspektit profesional ku tregoi për pritjet nga albumi, tregoi se a i pëlqejnë interpretimet e të tjerëve që ia bëjnë këngëve të tij dhe gjithashtu dha disa këshilla për artistët e rinj.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë me Naser Berishën:

Lajmi.net: Para disa muajsh keni publikuar albumin e ri, a u arritën pritshmëritë e juaja?

Naser Berisha: Po më saktë me datën 10 shkurt e kam publikuar albumin tim të fundit që quhet „Epike“ dhe ka pas një rezonance shumë pozitive te publiku, të cilët janë ndarë shumë të kënaqur me këngët, sepse kanë pikërisht atë çka e kanë pritur nga unë. E po ashtu edhe mënyrën e plasimit të albumit, sepse duke e pas parasysh që viteve të fundit nuk ka shumë artistë që prodhojnë albume dhe që e plasojnë si CD, e në rastin tim shpërndahet falas ishte sikur „qershia mbi tortë“. Ishte kënaqësi e veçantë kur i shihja ato fytyra të lumtura kur i shpërndaja CD falas në promovimin e albumit, por edhe gjatë mbrëmjeve live që i kisha me bend në Kosovë dhe Shqipëri.

Lajmi.net: Pse titulli “Epikë”?

Naser Berisha: Albumi e ka marrë titullin „Epikë“ në bazë të këngës numër 4 në album e cila e ka po të njëjtin titull. Kurse tekstin e kësaj këngë e ka shkruar një nga themeluesit e UÇK-së, Rexhep Selimi dhe në shenjë respekti që ai tregoj me mua duke ma besuar një tekst të tij që unë ta kompozoj si këngë, vendosa që të ja kthej nderin me titullin e albumit.

Lajmi.net: “Do të doja” dhe “A më kujton” dy këngët tua qe i ke lansuar vite më parë interpretohen nga artistë të shumtë edhe sot, mirëpo sipas jush cili nga këta këngëtar interpreton më bukur këto këngë?

Naser Berisha: Dy artist të rinj që kanë marrë lejen nga unë që të ripërpunojnë këto dy këngë janë Nushi dhe Bardhi. Që të dy e kanë kënduar dhe interpretuar në mënyrën e vet më të mirë, e që realisht edhe si „remake“ sepse nuk janë vetëm si Covera, kurse ka me dhjetëra të tjerë që i kanë bërë këto dy këngë si Covera të përafërt me origjinalin, e që pastaj i kanë publikuar në Youtube.

Lajmi.net: Kur do ta publikoni këngën e radhës dhe a do të jetë bashkëpunim?

Naser Berisha: Projekti i radhës pritet të jetë një bashkëpunim, por qëllimisht kam dashur që pak të ketë pauzë në mes të albumit dhe këngës së radhës, në mënyrë që publiku të ketë mundësi që ta „shijojë“ albumin si të tillë një kohë pak më të gjatë, e besoj se tash gjatë verës do të ketë publikim të radhës.

Lajmi.net: Sa ka ndryshuar muzika ndër vite, sidomos ky lloj i muzikës që ju e bëni, që tash është shumë i rrallë?

Naser Berisha: Sikur edhe gjithçka tjetër ashtu edhe muzika është pjesë e evolimit njerëzor, që do të thotë se detyrimisht edhe kjo evulon me kohën, natyrisht me kalimin e kohës muzikantët klasik që zotërojnë instrumente dhe shkruajnë këngë në mënyrën klasike ka gjithnjë e më pak, kurse në radhë janë DJ si „producent“ dhe beat-makerat që shumë pak kanë të bëjnë me muzikën si të tillë, koha do të na jap përgjigjen e saktë se a ishte mirë ky evolim apo ishte gabim.

Lajmi.net: Cila do të ishte këshilla jote për artistët e rinj?

Naser Berisha: Këshilla më e mirë për artistet e rinj janë dy. Nën një: që ta mësojnë të luajnë së paku në një instrument, sepse nuk mund t’i thuash vetit artist-muzikant, e nuk di të luash së paku një instrument dhe së dyti, që mos të ndalen në „rrëzimin“ e parë, dhe nëse ti je i vendosur dhe punon në realizimin e ëndrrës tuaj, suksesi është vetëm çështje kohe.