Nagelsmann flet si trajner i ri i Gjermanisë, ka vendosur edhe për kapitenin e Kombëtares

Julian Nagelsmann është zyrtarizuar si trajner i ri i Kombëtares së Gjermanisë pas shkarkimit të Hansi-Flick.

Trajneri i ri gjerman ka marrë drejtimin e Kombëtares pas rezultateve negative dhe qëllimi është ta rikthej atë në krye të Evropës.

Në konferencën e tij të parë si trajner i Gjermanisë, Nagelsmann ka thënë se për të është privilegj që është në krye të ‘pancerëve’.

“Nuk jam i shqetësuar sepse kam besim të plotë te ekipi dhe stafi i trajnerëve. Është një privilegj i madh të jesh menaxher i një ekipi që pret Kampionatin Evropian. Ka shumë dëshirë për t’u përmirësuar”, tha Nagelsmann.

36-vjeçari ka folur edhe për kapitenin, ku nuk e ka ndërmend ta ndryshojë pasi do të vazhdoj t’i besoj mesfushorit të Barcelonës, Ilkay Gundogan me të cilin ka biseduar dhe e vlerëson jashtëzakonisht shumë.

“Unë nuk do ta ndryshoj kapitenin, do të jetë Ilkay Gundogan, të cilin e vlerësoj si lojtar dhe si person. Unë tashmë kam folur me Ilkay dhe i kam bërë të ditur se ai është kapiteni ynë dhe se do të mbetet në atë rol”, u shpreh Ngalesmann.

“Kampionati Evropian është prioriteti, kjo është gjëja më e rëndësishme për mua. Kryesore është që ne kemi një turne të madh për të luajtur në shtëpi”.

“Gjëja e dytë është që unë dua të krijoj besim të ndërsjellë përmes punës që do të bëjmë. Është e rëndësishme që të punojmë mirë së bashku, puna të jetë shpërblyese dhe të jemi të suksesshëm”.

“Nëse ia dalim, nuk shoh arsye për të mos vazhduar në këtë rol, por nuk jam duke menduar për këtë, dua të shpërblej besimin që më është dhënë duke bërë një punë të mirë dhe besimi nuk vjen vetëm përmes një kontrate 5-vjeçare”, u shpreh Nagelsmann.