Mustafa: S’ishte vetëm Kurti, edhe ndaj meje ka pasur veprime për atentat

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se jo vetëm ndaj kryeministrit Albin Kurti, u planifikua atentat.

Mustafa tha për Klankosova.tv se ndaj tij pati veprime për atentat.

Ai tha se disa herë ishte sulmuar nga militantët e Vetëvendosjes.

Madje ish-kryeministri i Kosovës i përmendi disa raste kur ai ishte sulmuar me bomba molotovi dhe me gurë.

“Tani e lexova deklaratën e avokatit Besnik Berisha, i cili ishte këshilltar i imi sa isha kryeministër. Është e saktë ajo që ka deklaruar z. Berisha”- tha Mustafa.

“Jashtë këtij rasti ka pasur edhe veprime për atentat siç është gjuajtja e shtëpisë time me bomba molotov nga VV, tentimi të gjuhet makina ime zyrtare nga militantët e VV-së me iriq të hekurt, gjuajtja me gurë e makinës time, por duke e qëlluar makinën e përcjelljes policore në një natë në kthim nga Suhareka. Të gjitha këto i dinë organet e drejtësisë”- tha Mustafa.

Avokati i tij Besnik Berisha, tha se ish-kryeministri e kishte pasur situatën e njëjtë, pa dhënë detaje shtesë se për cilin rast bëhet fjalë.

“Kurti nuk është i vetmi kryeministër i Kosovës për të cilin dyshohet se ishte planifikuar atentat ( nëse veç ka qenë e vërtete kjo). Situatë e njëjtë ka qenë edhe me ish-Kryeministrin Mustafa. Detajet i dinë organet e sigurisë me të cilat unë si këshilltar i tij kam bashkëpunuar ngushtësisht në hetimin e këtij rasti”-tha Berisha.