Mustafa: Nga papërgjegjësia e Kurtit marrëveshjen me Serbinë nuk e shoh as në horizont dhjetëvjeçar

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se as në horizont dhjetëvjeçar nuk sheh marrëveshjen përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë ai e lidhë me qeverinë aktuale të Kosovës të cilën e drejton Albin Kurti.

“Krejt për shkak të papërgjegjësisë së këtij pushteti. Askush, as ShBA, as Mbretëria e Bashkuar s’flasin për të dhe as për njohje reciproke. Kosova tani është shndërruar në problem të sigurisë” , u shpreh Mustafa për Blic.

“Kurti e futi dialogun në mekanizma të sanksioneve. Tani edhe zbatimi/moszbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit peshohet me sanksione”, tha Mustafa.

Ai tha se edhe nëse Kurti dëshiron të japë dorëheqje e të mos i zbatonte marrëveshjet, këtë nuk do t’ia lejonte bashkësia ndërkombëtare.

“Nuk është fjala vetëm për masat e deeskalimit të situatës në veri, por për përmbushjen e marrëveshjeve të cilat i ka pranuar Kurti në emër të Kosovës. Sa po duket, edhe nëse Kurti do të donte të japë dorëheqje e të mos i zbatonte marrëveshjet, këtë nuk do ta lejojë komuniteti ndërkombëtar pa filluar implementimin e marrëveshjeve, me kundërshtimin e të cilave ka ardhur pushtet”.