Mustafa: LDK do t’i ketë gjashtë ministri dhe kryetarin e Kuvendit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se marrëveshja e arritur për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje është bërë në harmoni të plotë me parimet e vendosura më herët për balancim të pushtetit. Ai para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, dha të gjitha detajet e arritjes së kësaj marrëveshje, ku arsyetoi rritjen e ministrive duke thënë se mandati i kryeparlamentarit do t’iu takojë me mandat të plotë, kurse posti i presidentit do të diskutohet më vonë me liderin e LVV-së, Albin Kurti.

“Dymbëdhjetë ministri i kanë partnerët kryesor LVV dhe LDK nga gjashtë dhe nga një zëvendëskryeministër dhe tre ministrit e tjera shkojmë për komunitetet dhe ndarja e tyre mbahet në bazë të marrëveshjes së kandidatit për kryeministër me përfaqësuesit e komuniteteve. Nëse shtrohet pyetja se pse është bërë shtimi i numrit të ministrive, unë them se është bërë me propozimin e Kurtit. Ne e kemi vlerësuar në qëndrueshmëri për të mos humbur shumë kohë pas themelimit të Qeverisë që të merremi me organizimin e ministrive se kemi trashëguar 21 ministri edhe janë kthyer në 15. Bashkërisht kemi vlerësuar se do të ishte më problematike dhe do të paguanim më shumë në qoftë se i kemi 12 ministri në emër të kursimeve se sa që i kemi 15 ministri dhe të funksionojnë menjëherë”, tha ai

Kurse posti i kryeparalmëntarit tha se do t’i takojë LDK-së në mandat të plotë katër vjeçar.

“Sa i përket kryetarit të Kuvendit është arritur marrëveshja që LVV të propozoj kandidatin për kryetar të kuvendit të LDK-së me mandat të plotë”, tha ai.

I pari i LDK-së për postin e presidentin, tha se do të ketë marrëveshje të veçantë.

“Jemi marrë vesh që çështja e presidentit të vendit të jetë në juridiksionin e dy liderëve me një marrëveshje si akt i veçantë”, tha ai.

Në fund Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së ka votuar pa asnjë votë kundër marrëveshjen VV-LDK.