Mustafa ia propozon Kurtit këta pesë zëvendësministra

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka bërë të ditur emrat e zëvendësministrave të kësaj partie të cilat ia ka ofruar Albin Kurtit, Kryeministrit të Kosovës.

Mustafa me anë të një postimi në rrjetin social Facebook tha se këta emra i ofroi pas trajtimit të kësaj çështje në kryesinë e LDK-së.
I pari i LDK-së këtë herë ofroi pesë zëvendësministra ndërsa pohoi se kandidatët e tjerë do të jenë në ditët në vazhdim.

Këta janë pesë zëvendësministrat e ofruar nga LDK:

Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave dhe Transfereve. Ekonomist. Ka punuar një kohë të gjatë si drejtor i Departamentit të Buxhetit, ka qenë Zëvendësministër i Financave dhe Ministër në Detyrë i Financave. Anëtar i Këshillit të Ekspertëve të LDK-së.

Xhavit Rexhaj – zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Profesor. Ka udhëhequr grupin e akspertëve të Lidhjes Dekokratike të Kosovë për hartimin e programit të arsimit të LDK. Ka mbaruar studime master në Varshavë e në Oxford në fushën e studimeve britaneze, në Prishtinë e në Zagreb në fushën e letërsisë angleze dhe pedagogjisë, studimet e doktoratës në Universitetin e Tiranës dhe studimet postdoktorale në Universitetin e Nju Jorkut dhe të Los Angjelosit. Ka mbaruar specializim në fushën e reformave të arsimit të lartë në Budapest. Ka qenë drejtor i departamentit të arsimit në Ministrinë e Arsimit. Është profesor në Kolegjin AAB.

Fatbardha Emini, Zëvendësministre e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Juriste. Anëtare e Këshillit të Drejtorëve në Komunën e Vitisë, Drejtoreshë e Drejtorisë së Kadastrit dhe tani drejtoreshë e Drejtorisë së Arsimit. Ka kryer studimet master. Anëtare e KP të LDK-së.

Ismet Beqiri, Zëvendësministër i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Jurist. Ka qenë Kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës, drejtor i Kompanisë publike Sport-marketingu, deputet i Kuvendit në disa mandate. Sekretar i Përgjithshëm i LDK-së, tani nënkryetar i LDK-së.

Florian Dushi, Zëvendësministër i Drejtësisë. Jurist. Ka qenë Sekretar Permanent i Ministrisë së Drejtësisë, Zëvendësministër i Drejtësisë, anëtar i KQZ-së. Ka ushtruat detyrën e Avokatit. Anëtar i Kryesisë s LDK-së.