Musliu për veteranët: Duhet të ndihemi keq që i kemi detyruar të dalin këtu

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka dalë para veteranëve protestues përpara Kuvendit të Kosovës duke iu dhënë mbështetje atyre.

Deputetja Musliu ka deklaruar para mediave se protesta e veteranëve është e drejtë, ndërsa ka thënë se janë deputetët ata që duhet të ndjejnë keqardhje.

“Ne duhet të ndihemi keq që i kemi detyruar të dalin këtu. Pse e kemi sjell ne si institucione çështjen deri këtu, që këta të dalin në këto temperatura të kërkojnë të drejtat e tyre. Këtu më falënderuan për pjesëmarrje, më thanë ‘faleminderit që nuk ike nga ne’, unë dua t’ju them se ditën kur largohem nga veteranët e UÇK-së, unë largohem nga kjo jetë”, ka deklaruar Musliu.

Në anën tjetër, deputeti Bekim Haxhiu gjithashtu ka shprehur mbështetje për veteranët.

Ai ka thënë se PDK-ja do të vazhdojë të mbështesë kërkesat e veteranëve, ndërsa ka thënë se do të përdorin të gjitha mjetet demokratike për të ndaluar kalimin e Projektligjit për paga, ku veteranët nuk janë përfshirë në rritjen e pagës minimale.

“Ata që nuk duan të bisedojnë me veteranët, ata kanë problem me konceptin e lirisë sonë. Kurdo që do të fillojë seanca, ne do të jemi aty për të penguar kalimin e këtij ligji. Ne kemi gjithmonë me veteranët, edhe në luftë edhe tash. Ata që nuk janë me veteranët, e kanë vendin matanë kufirit, përtej Merdares”, ka thënë Haxhiu.