Muriqi, drejt Serisë A për 20 milionë euro

Mediumi italian Calcio Mercato raporton se sulmuesi kosovar i Fenerbahces, Vedat Muriqi, mund ta vazhdojë karrierën e tij gjatë sezonit të ardhshëm në Serie A me Lazion për 20 milionë euro.

Përkundër që ka kohë deri kur të hapet afati kalimtar i verës, në fund të këtij sezoni 2019/20, spekulimet për të ardhmen e Vedat Muriqit s’kanë të ndalur, edhe pas mbylljes së merkatos së janarit, transmeton Gazeta Kosova.

Kosovari, i cili ka shkëlqyer këtë sezon në Superligën turke me Fenerbahcen, ka ngjallur interesim te shumë klube, ndër të cilat është edhe Lazio. Calcio Mercato raporton se Lazio e dëshiron ose Muriqin, ose Giroud.

“Lazio vazhdon të punojë për afatin kalimtar, në pritje që ky sezon, emocionues por i dëmtuar nga emergjenca e koronavirusit, të marrë fund. Drejtori sportiv, Igli Tare, vazhdon të punojë për ta përforcuar skuadrën. Rruga drejt Giroud është e njohur, por gara për ta transferuar francezin është e madhe”, shkruan Calcio Mercato.

“Në anën tjetër, Lazio nuk është dorëzuar në synimin për ta transferuar sulmuesin e Fenerbahces, Muriqin. Përkundër mjegullisë së madhe për këtë rast, Tare beson se Muriqi mund të shpërthejë në Serie A. Kartoni i tij kushton 20 milionë euro”.

Muriqi ka kontribuar me 15 gola dhe gjashtë asiste në 26 ndeshjet e zhvilluara këtë sezon për Fenerbahcen, në Superligën turke dhe Kupën e Turqisë.