Mungesa e reshjeve dëmton rëndë bujqësinë

Mungesa e reshjeve të borës dëmton tej mase bujqësinë e vendit, sidomos drithërat, thonë agronomët. Ngricat e ditëve të shkuara në mungesë të borës, kanë bërë që drithërat të kalben në rrënjën e tyre, ndërsa kjo do të ndikojë në uljen e prodhimit për rreth 60 për qind.

Ky është një vit i cili do mbahet mend pa të reshura të borës. Ka një ndikim negativ tek të mbjellat vjeshtore, veçanërisht tek drithërat e bardhë, duke filluar nga gruri, thekra, elbi tërshëra e kështu me radhë. Nëse të mbjellat nuk kanë një mbulesë të borës në trashësi 10-15 centimetra bën që mbështjellësi i brendshëm i bimës, të dëmtohet shkaku i ngricave që lëmë pas. Në kushte të tilla mund të vij deri tek zvogëlimi i rendimentit 50 deri në 60 për qind”-pohoi Xheladin Nuhi agronom.

Bujqit thonë se dëmet në bujqësi kanë filluar që me thatësinë e vjeshtës, që solli dëmtimin enorm të patates, ndërsa mungesa e borës këtë vit, do shtojë deri në 60 për qind sëmundjet e bimëve. Bujku Nagip Rushiti nga Tetova, kërkon nga Ministria e Bujqësisë që, sivjet, të ndihmohen bujqit në kompensimin e dëmeve, sepse humbjet janë të mëdha.

Mungesa e borës ndikon shumë tek bujqit. Është mungesë uji ajo, dhe kur toka nuk ka borë ka mungesë uji dhe atëherë paraqiten gjitha sëmundjet e bimëve. Si bujq sivjet parashohim 60 për qind sëmundjet të paraqiten më tepër. Shteti duhet të na ndihmoj të paktën ti mbulojmë harxhimet që i kemi bë, se fitimin sivjet e kemi harruar, po të paktën harxhimet ti mbulojmë”-theksoi Nagip Rushiti. bujk.

“Këtë vit mungesë nuk do shënohet vetëm në korrjet që pritet të bëhen sezonin që vjen, por mungesa do ketë edhe në ujë, si për vaditje po ashtu edhe për pije, si pasojë e mungesës së borës.

Për mungesë të borës dhe të reshurave, neve nga burimet kemi rënie drastike që ndoshta në 15 vitet e fundit nuk mbahet mend të kemi pasur 130 litra në sekondë. Nëse kjo periudhë kalon pa borë, vërtetë do vjen në pikëpyetje mungesa e skajshme e ujit. Nëse në pranverë përveç mungesës së borës ka edhe mungesë shirash, ne do kemi telashe me ujin, jo vetëm Tetova, por në mënyrë globale”-tha Xhelal Ceka. drejtor i NPK Tetova.

Nga Ndërmarrja Publike komunale, apelojnë qytetarët që uji të shfrytëzohet në mënyrë sa më racionale, me qëllim që të mos vjen deri tek restrikcionet.