Lojërat e fatit, në duart e përbërjes së ardhshme parlamentare

Ligji kundër lojërave të fatit, nuk do të miratohet nga kjo përbërje parlamentare. Ky propozim ligj, është në procedurë për më shumë se një vit e gjysmë. Për të u mbajt edhe debat publik, megjithatë asesi të vijë në rend dite. Deputeti i BDI-së Rexhail Ismaili, përsëriti qëndrimin se të gjithë deputetët shqiptarë e mbështesin propozim ligjin, por për këtë nuk kanë vullnet nga LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja. Deputetët dhe përfaqësuesit e LSDM-së heshtin dhe nuk dëshirojnë të prononcohen për këtë çështje. Ndërsa nga VMRO-DPMNE, deputeti Ilija Dimovski, shprehet se faji qëndron tek partitë në pushtet LSDM dhe BDI, të cilët në vend që të përshpejtojnë këtë ligj, ata fusin në procedurë kuvendore qindra ligje të tjera. Dimovski tha se nuk ka gjasa ky ligj të kalojë deri më 11 shkurt kur kuvendi do të shpërndahet.

Nuk besoj. Të jem i sinqertë mendoj se tani në procedurë ka më shumë ligje se sa kjo Qeveri ka votuar ligje për tre vite. Mendoj se taktika e Qeverisë në këtë periudhë është që të lëshojnë në procedurë sa më shumë ligje që është e mundur që në zgjedhje të thonë se ne u përpoqëm por për këtë ligj na bllokuan VMRO, na bllokoi BDI. Ndërsa BDI të thotë se këtë ligj na bllokon LSDM, turqit, na bllokonin romët. Që gjithkush të jetë fajtor, por vetëm pushteti jo”-pohoi Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.

Nga Lëvizja Anti-bixhoz, kërkojnë llogari nga deputetët që morën përsipër zgjidhjen e kësaj çështje. Ndërsa paralajmërojnë pa dëgjueshmëri qytetare.

Dëshirojmë edhe një pyetje tu bëjmë deputetëve të cilët do të votojnë ose mendojnë që ta përkrahin këtë propozim. Kur kanë qenë më të sinqertë në momentet kur kanë biseduar me ne ose tani kur duhet të votohet. Në qoftë se eventualisht ndodh kjo gjë, ju tregojmë se është e pa-tolerueshme dhe ne gjithsesi çdo herë kemi thënë që do të kemi një pa dëgjueshmëri qytetare do të përgatiten për protesta masive dhe si duket do të përshpejtojmë këto procese”-pohoi Xhemal Abdiu, lëvizja Anti-Bixhoz.

Para një viti e gjysmë lëvizja Anti-bixhoz, filloi protesta kundër bastoreve dhe kazinove që vazhdimisht po hapeshin afër shkollave, vendbanimeve dhe në qendra të qytetit. Më pas, deputetët e pushtetit u zotuan se do të përgatisin ligj me të cilin, ndër kushtet do të jetë që lojërat e fatit të largohen tre kilometra larg vendbanimeve.