Mundësi të mëdha zhvillimi për Hong- Kongun

Zbatimi në mënyrë të plotë e besnike i politikës “Një vend, dy sisteme” do të krijojë hapësirë të pakufishme për zhvillimin e rajoneve të posaçme administrative të Hong-Kongut dhe Makaos, vuri në dukje të premten presidenti kinez Xi Jinping,fjatë vizitës qe po bën në Hong-Kong.

Xi vuri në dukje gjithashtu se ruajtja e sovranitetit, sigurisë dhe interesave të zhvillimit të Kinës është parimi suprem i kësaj politike, e cila garanton që Hong-Kongu dhe Makaoja të ruajnë sistemin e mëparshëm kapitalist për një kohë të gjatë dhe të gëzojnë një shkallë të lartë autonomie.

Duke përmendur pozicionin dhe epërsitë e veçanta të Hong-Kongut, Xi Jinping-u theksoi se ka hapësirë të gjerë për zhvillimin e rajonit.

Tregtia ndërmjet Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR) dhe pjesës kontinentale të Kinës është shtuar më shumë se gjashtëfish krahasuar me  25 vjet më parë.

Nga viti 1997 deri vjet, vlera e tregtisë midis Hong-Kongut dhe pjesës kontinentale u rrit 6.1 herë, duke shkuar nga 50.77 miliardë në 360.33 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje mesatare vjetore prej 8.5 %. Hong-Kongu është bërë një pjesëmarrës i rëndësishëm në qarkullimin e brendshëm dhe luan një rol kyç në lidhjen e qarkullimit të brendshëm me atë të jashtëm.
“Qeveria qendrore e mbështet plotësisht Hong-Kongun në shfrytëzimin e mundësisë historike të sjellë nga zhvillimi i vendit për të marrë pjesë aktive në strategji të shumta kombëtare, duke përfshirë Planin e 14-të Pesëvjeçar (2021-2025), zhvillimin e Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong – Hong-Kong – Makao dhe nismën ‘Një brez, një rrugë’,” tha Xi.

Gjatë dy vjetëve të fundit, edhe Hong-Kongu është goditur rëndë nga kriza globale e shëndetit publik e pandemisë së COVID-19, veçanërisht nga vala e pestë e saj në fillim të këtij viti. Por ndërsa epidemia u përhap edhe në pjesën kontinentale, qeveria qendrore, si dhe provincat e pjesës kontinentale, bënë të gjitha përpjekjet për të dërguar ekspertë dhe ekipe të ndihmës mjekësore në Hong-Kong.

Mbështetja e tyre ka forcuar ndjeshëm luftën antiepidemike të Hong-Kongut për uljen e numrit të rasteve të rënda dhe vdekjeve, dhe gjithashtu ka lehtësuar trysninë mbi spitalet publike në kulmin e epidemisë.

Me mbështetjen e qeverisë qendrore dhe përmirësimin e aftësisë qeverisëse të autoriteteve vendore, Rajoni i Posaçëm Administrativ i Hong-Kongut do të ketë një të ardhme më të ndritur, tha presidenti kinez Xi Jinping.