Multilateralizmi është rruga themelore për të zgjidhur problemin e ndryshimit të klimës

Në kohën e rritjes së shqetësimeve mbi klimën, sytë e mbarë botës janë në Dubai, ku sot hapet Konferenca e 28-të e Palëve (COP28) të Konventës Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike. Një sondazh global në internet i zhvilluar kohët e fundit nga CGTN-i tregoi që 90.3 % e të anketuarve besojnë se asnjë vend nuk mund të qëndrojë mospërfillës ndaj çështjes klimatike dhe se multilateralizmi është rruga themelore për të zgjidhur problemin e ndryshimit të klimës. Përveç kësaj, 91.4 % e të pyeturve vlerësojnë lart kontributin e Kinës në promovimin e qeverisjes globale të klimës.

Konventa Kornizë e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike thekson që pjesa më e madhe e gazit serrë përgjatë historisë dhe në ditët e sotme është lëshuar nga vendet e zhvilluara dhe përcakton parimin e “përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme” ndërmjet vendeve në zhvillim dhe vendeve të zhvilluara. Në sondazh, afro 88.5 % e pjesëmarrësve e pranuan se vendet e zhvilluara duhet të marrin përsipër përgjegjësi më të madhe historike për krizën e ndryshimit të klimës të shkaktuar nga njeriu. 80.1 % e të pyeturve janë të zhgënjyer që vendet e zhvilluara e kanë vonuar ose ngadalësuar ndihmën e tyre lidhur me klimën për vendet në zhvillim.

89.9 % e pjesëmarrësve u bënë thirrje vendeve të zhvilluara që të marrin seriozisht pakësimin e lëshimit prej tyre dhe të sigurojnë efektivisht fonde për përshtatjen klimatike dhe kompensim për humbjet e dëmet për vendet në zhvillim. Kurse 82.9 % presin që vendet e mëdha të shfaqin guxim dhe përgjegjësi në trajtimin e ndryshimeve klimatike shkruan CMG.