MPJ: Marrëdhënie mbi bazën e respektit

Kina i kërkon sërish SHBA-së të heqin pengesat dhe të krijojnë kushte për të nxitur që marrëdhëniet dypalëshe të kthehen në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm, tha të premten Ministria e Jashtme kineze.

Në përgjigje të një pyetjeje lidhur me pritjet e ulëta të zyrtarëve amerikanë për vizitën e ardhshme të Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha në një konferencë të përditshme për shtyp se marrëdhëniet mes Kinës e ShBA-së nuk janë një lojë me shumën zero dhe të dyja palët duhet të shohin drejt politikave të brendshme e të jashtme dhe synimet strategjike të njëra-tjetrës.

Wang tha se të dy palët duhet të mbështesin respektin e ndërsjellë, bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin fitues dhe të gjejnë mënyrën e duhur për të trajtuar njeri-tjetrin. “Kjo nuk është vetëm në përputhje me përfitimet e popujve të të dy vendeve, por gjithashtu pritet gjerësisht edhe nga komuniteti ndërkombëtar.” – tha ai.

ShBA e sheh Kinën si “rivalin kryesor” dhe “sfidën më të madhe gjeopolitike”, që është një keqvlerësim serioz i Kinës, shtoi Wang. Ka një farë konkurrence në fushën ekonomiko-tregtare midis dy vendeve, por konkurrenca vicioze nuk mund të ekzistojë dhe s’mund të frenojë dhe shtypë Kinën nën maskën e konkurrencës, duke e privuar Kinën nga e drejta për zhvillim, tha Wang.

Lidhur me vizitën e ardhshme të Blinken, Wang tha se të dy palët do të kenë shkëmbime të thelluara pikëpamjesh mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet kryesore ndërkombëtare dhe rajonale me interes të përbashkët. Kina do të shtjellojë qëndrimin dhe shqetësimet e saj për marrëdhëniet Kinë-ShBA dhe të mbrojë me vendosmëri interesat e veta, shtoi ai. (Çang Çuo)