MPJ Bullgare: Do të miratojmë konferencën e parë me Shkupin pasi të nënshkruhet protokolli bilateral

“Bullgaria është e gatshme të miratojë konferencën e parë ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut me BE-në, menjëherë pas nënshkrimit të protokollit dypalësh”.

Kështu thonë nga Ministria për Punë të Jashtme e Bullgarisë, në lidhje me veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Nga MPJ bullgare theksojnë se “Bullgaria nuk ka shtuar asnjë kërkesë të re për RMV-në”.

“Kuvendi sot miratoi vendim për mbështetjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ne nuk kemi shtuar asnjë kërkesë të re për Shkupin dhe jemi të gatshëm që të miratojmë konferencën e parë ndërqeveritare sapo miqtë tanë nga Maqedonia e Veriut të nënshkruajnë protokollin, siç u diskutua nga ministrat e jashtëm”, thonë nga MPJ bullgare.

Ndërsa ministri i Maqedonisë së Veriut për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, tha sot se është e papranueshme që protokolli me Bullgarinë të hyjë në kornizën negociuese, sepse do të përdoret për presion shtesë nga Bullgaria.