“Bashkëpunimi ekonomik dhe teknologjik kino-amerikan është me përfitime për të dy palët”

Presidenti amerikan Joe Biden nënshkroi zyrtarisht “Projektligjin e mikroçipave dhe shkencës”. Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Wang Wenbin vuri në dukje në përgjigje të një pyetjeje në një konferencë të rregullt shtypi të mërkurën se Kina këmbëngul në vendosjen e zhvillimit të vendit dhe kombit në bazë të forcës së vet, dhe asnjë kufizim s’mund t’i pengojë zhvillimin teknologjik dhe përparimin industrial të saj.
Sipas Wang Wenbin-it, projektligji i ShBA-së pretendon të “rrisë konkurrencën e teknologjisë amerikane dhe industrisë së mikroçipave”, por ofron subvencione të mëdha për industrinë amerikane të mikroçipave dhe zbaton politika të diferencuara të mbështetjes industriale, duke përfshirë disa dispozita që kufizojnë investimet e veprimtarinë tregtare normale të kompanive përkatëse në Kinë dhe bashkëpunimin normal teknologjik ndërmjet Kinës e ShBA-së. Këto dispozita do të shtrembërojnë zinxhirin global të furnizimit të gjysmëpërçuesve dhe do të prishin funksionimin normal të tregtisë ndërkombëtare. Kina e kundërshton me vendosmëri këtë.

“Të ashtuquajturat ‘masa mbrojtëse’ të projekligjit kanë ngjyrime të forta gjeopolitike dhe janë shembull tjetër i detyrimit ekonomik të ShBA-së. Mënyra e zhvillimit të ShBA-së është çështje e vetë ShBA-së, por duhet të jetë në përputhje me rregullat përkatëse të Organizatës Botërore Tregtare e me parimin e hapjes, transparencës e mosdiskriminimit, dhe duhet të jetë në favor të ruajtjes së sigurisë dhe stabilitetit të zinxhirit global industrial e zinxhirit të furnizimit. Ajo nuk duhet të krijojë pengesa për shkëmbimet dhe bashkëpunimin normal ekonomik, tregtar dhe shkencor e teknologjik ndërmjet Kinës e ShBA-së dhe nuk duhet të dëmtojë të drejtat e zhvillimit të Kinës. Bashkëpunimi ekonomik dhe teknologjik kino-amerikan është me përfitime për të dy palët dhe në interes të përparimit të përbashkët të njerëzimit,” vuri në dukje zëdhënësi.