MPB-ja fton qytetarët të shmangin pikëkalimet në Bërnjak dhe Jarinjë

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë.

“Ministria e Punëve të Brendshme i njofton qytetarët të cilët planifikojnë të shfrytëzojnë pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë të Mitrovicës, që të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim, për shkak të pengesave të mundshme që mund të paraqiten në rrugë”, thuhet në njoftimin e MPB-së të postuar në Facebook.

Ky njoftim nga MPB-ja vjen në ditën kur ka nisur të zbatohet masa e reciprocitetit për targat nga Serbia.

Qytetarët në këto dy lokalitete në Mitrovicë, kanë protestuar kundër vendimit.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, automjetet me targa të Serbisë, duhet t’i largojnë ato dhe të vendosin në xhama disa targa të përkohshme.

Targat e përkohshme kushtojnë pesë euro dhe kanë vlefshmëri deri në 60 ditë.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ky vendim nuk është kundër serbëve dhe nuk ka për qëllim të shkaktojë destabilizim, por vetëm është respektim i marrëveshjes së lëvizjes së lirë, të arritur me Serbinë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Bashkimi Evropian ndërkaq ka bërë thirrje që të dy palët të ulin tensionet në veri të Kosovës.