Mos i besoni atyre që VMRO’në e shpallin “antishqiptare”, vetëm kur akuzohen për korrupsion!

Shkruan: Fejzi HAJDARI

Partitë shqiptare në përgjithësi në veçanti BDI’ja, VMRO’në e ka akuzuar për ‘antishqiptare’, vetëm kur nga kjo e fundit është akuzuar për afera korruptive, siç është rasti i fundit me Artan Grubin.

Jo, përkundrazi, mendoj se akt më të madh ‘proshqiptarë’ se t’i denoncosh, akuzosh e detektosh funksionarët shqiptarë për skandale korruptive, nuk ka. Dhashtë Zoti që edhe LSDM’ja por dhe VMRO’ja, sa më shpesh ama në mënyrë të sinqertë, ta denoncojnë korrupsionin në radhët e funksionarëve shqiptarë.

“Bombat” e Zaevit hedhën shumë dritë mbi këtë dukuri të pranishme ndër funksionarët shqiptarë. Por, e gjithë kjo dukuri të denoncohet edhe nga politika shqiptare ndaj funksionarëve maqedonas.

Si mund të jetë sot VMRO-DMPMNE’ja antishqiptare, kur me këtë parti BDI’ja ka bashkëqeverisur prej vitit 2008 deri në vitin 2016? Kujt t’i besohet sot: VMRO’së që e akuzon Grubin për korrupsion, apo Grubit (BDI’së) që i zënë në këtë pozicion, e akuzon VMRO-në për “parti antishqiptare”?

Xhokeri i kahmotshëm i partive shqiptare, se të gjitha partitë maqedonase janë antishqiptare, kur na denoncojnë-akuzojnë për skandale ose kur nuk biem dakord për tendere e biznes, duhet të digjet njëherë e përgjithmonë. Këtë xhoker (atu) partitë shqiptare e kanë keqpërdorur, për shkak të shkallës së lartë të besimit të elektoratit shqiptarë që e kishte te partitë shqiptare, në vecanti tek BDI’ja.

Konstatim i përgjithshëm është se:

– Partitë shqiptare në qeveri mund të bashkëpunojnë edhe me partitë maqedonase “ultra-antishqiptare” derisa biznesin dhe intereset i mbrojnë bashkë. Madje-madje partitë shqiptarë bëjnë edhe pazare, në dëmë të interesave shqiptare, për të cilat gjate fushatës elektorale premtojnë se do t’i realizojnë. Nuk prishen partitë shqiptare me partitë maqedonase, për kërkesat politike kombëtare të shqiptareve, por vetëm kur janë në pyetje interesat e ngushta të krerëve të partisë, si psh, tenderët, provizionet, lekët, projektet milionëshe etj.

Si rezultat i kësaj qasje, sot, edhe pas 20 viteve luftë në vitin 2001, kanë mbetur të pazgjidhur të gjitha problemet e premtuara që nga përfundimi i luftës… Statusi i ushtarëve të UCK’së, zyrtarizimi i gjuhës shqipe në një rrafsh me maqedonishten (ose si serbishtja në Kosovë), diskriminimi kushtetues “popull 20 përqind”, zgjidhja e asnjë nga rastet e montuara si Lagjja e Trimave, Monstra, vrasja e komandant Shqiponjës, vrasja e Harun Aliut, e Isa Likës, pastaj arsimi skandaloz gjithandej në gjuhën shqipe, librat dhe Enciklopedia shumë ofenduese për shqiptarët…, dhe shumë e shumë raste tjera.

Me pak fjalë: Partitë shqiptare mbrojtjen lekut, pasurisë së fituar në mënyrë të jashtligjshme dhe intereset mafiozo-klienteliste, i kanë para interesit (kërkesave) legjitim kombëtarë.

Prandaj, sot rinia ik, dhe nuk pyet! Ua sollëm te hunda me vjedhje, plaçkitje dhe mashtrime, tanimë 20 vite me radhë. Na qoftë turp të gjithëve. S’do t’na i falin, këtë sjellje me frymë antishqiptare.