“Money heist: The phenomenon”, kasti dhe organizatorët rrëfejnë rrugëtimin e serialit

Më 3 prill u publikua sezoni i katërt i serialit “La Casa de Papel” apo “Money heist”.

Seriali është me regji të Alex Pina, ai u prit jashtëzakonisht mirë në tre sezonet e kaluara, ndërsa sukses të madh pritet të shënojë dhe me këtë sezon.

Fillimisht, “La Casa de Papel” kishte filluar transmetimin e 15 episodeve në rrjetin spanjoll “Antena 3”, kurse nga viti 2017, të drejtën e transmetimit e mori gjiganti “Netflix”.

Pas publikimit të sezonit të katërt të serialit, “Netflix” publikoi edhe dokumentarin kushtuar këtij seriali.

“Money heist: The phenomenon”, është dokumentar, i cili tregon për rrugëtimin e këtij seriali deri në këtë ditë.

“Netflix”, e çon në një tjetër nivel “La Casa de Papel”

Aktorët dhe ekipi në këtë dokumentar treguan se nga momenti kur “Netflix” mori të drejtën e transmetimit, gjërat ndryshuan për të mirë.

Fillimisht, fama e aktorëve u rrit më shpejt se që e kishin menduar, ata thanë se numri i ndjekësve në rrjete sociale iu rrit jashtëzakonisht shumë.

Më tej, filloi edhe suksesi në renditje në mesin e serialeve më të shikuara, në karnavale qytetarët shfaqeshin me maska, po ashtu në stadiume, e protesta.

Madje, simboleve të serialit nuk iu rezistuan as futbollistët, shembull është Neymar, Benzema, e të tjerë.

Po ashtu, përveç përdorimit të maskave, një tjetër element që u përdor nga ky serial ishte edhe ‘himni’ i famshëm “Bella Ciao”.

Aktorët në sezonet tjera kuptuan se tashmë i njohin të gjithë, e këtë gjë e vërtetuan kur filluan xhirimet në rrugë, ku u pritën nga një numër i madh i fansave.

Vështirësitë e realizimit të skenave të serialit

Në një nga skenat e këtij seriali, paratë lëshoheshin për të ‘fluturuar’ mbi qytet. Ani pse ato ishin false, xhirimi i skenës nuk kaloi pa vështirësi.

Një numër i madh i parave false u prishën dhe skena u realizua me shumë vështirësi.

Skena kur aktorët duhej të filmonin në anije, ishte një sfidë e vërtetë për kastin, kjo ngase temperaturat ishin të larta.

Në prapaskenat që i solli dokumentari, pamjet dhe vet aktorët treguan se ishte e vështirë ta xhironin atë pjesë, shkruan lajmi.net.

Po ashtu, një skenë që u xhirua me vështirësi ishte edhe ajo ku aktorët duhej të futeshin në ujë për të nxjerrë arin.

Ani pse ari ishte fals, pjesët e tij u dëmtuan nga qëndrimi disa orë në ujë, andaj detyroi ekipin që të ndërhynin me anë të fotoshopit, që e gjithë skena të dalë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Por, e gjithë kjo ekipi i “La Casa de Papel” thanë se i ndihmoi të xhirojnë në kushte ekstreme.

Njerëzit u dashuruan në serial dhe karaktere

Aktorët e serialit edhe pse luajnë rolin e një grupi hajdutësh, të gjithë i duan ata.

Profesori (Alvaro Morte), Tokio (Ursula Corbero), Lisbon (Itizar Ituno), Berlin (Pedro Alonso), Nairobi (Alba Flores), Rio (Miguel Herran), Moscow (Paco Tuns), Denver (Jaime Lorente), Stockholm (Esther Acebo), Arturo Roman (Enrique Arce), Helsinki (Darko Peric); janë disa prej aktorëve të serialit, të cilët kanë bërë publikun për vete.

Producentët treguan se kishte rast kur menduan se ndonjë prej tyre nuk ishte i nevojshëm në serial, shembull e morën Berlinin, i cili fillimisht dukej si një karakter që nuk përkonte me serialin, por regjisori e pa të nevojshme ta bënte pjesë të kastit.

Edhe aktorët janë lidhur emocionalisht me serialin, këtë e tregon në mënyrën më të mirë momenti kur Nairobi u përshëndet me kastin pas përfundimit të rolit të saj në serial.

Dokumentari “Money heist: The phenomenon” sjell momentin emocionues kur Nairobi e përfundoi aventurën me ‘grupin e hajdutëve’.

Skenari i serialit realizohet gjatë xhirimeve dhe askush nuk e di se çfarë vjen më pastaj, por ia lënë rrjedhës së situatës për t’ia përshtaur edhe tekstin.

Por, nganjëherë koha është aq e shkurtër saqë aktorëve nuk mund t’iu sqarohen skenat në detaje.

Ky është “La Casa de Papel”, serial që përfshin para, të shtëna, këngë e tonelata ari; projekt filmik që arriti ta bëjë publikun për vete.

Seriali që njihet nga maska, ngjyra e veshjeve, e himni “Bella Ciao” pritet që të vazhdojë edhe me sezonin e pestë dhe të gjashtë, por ende nuk është bërë zyrtare nga “Netflix”. /Lajmi.net/