Edhe vetë autoritetet e burgjeve në Maqedoninë e Veriut pajtohen pjesërisht me raportet ndërkombëtare dhe vendore që kanë të bëjnë me situatën e vështirë në burgjet tona. Sa i përket gjendjes së vështirë në repartin për femra në burgun e Idrizovës, si repart i vetëm në Maqedoni ku vuajnë dënim femrat e dënuara për vepra të ndryshme, shkruan gazeta LAJM.
Mojsovski: Viti 2020 do të jetë viti i përmirësimit të kushteve në burgjet e Maqedonisë!(VIDEO)
Mojsovski: Viti 2020 do të jetë viti i përmirësimit të kushteve në burgjet e Maqedonisë!(VIDEO)
Posted by Lajm TV on Saturday, January 18, 2020
Në raportin e vet kushtuar gjendjes së repartit të femrave në burgun e Idrizovës, Avokati i Popullit konstaton se autoritetet e burgut e kanë më vështirë t’i përmirësojnë rekomandimet me të cilat kërkohet aplikim i arsimit, mbrojtjes kualitative shëndetësore, aty ku kërkohen ekipe adekuate të pedagogëve, psikologëve, punëtorëve socialë, psikiatërve.
Kurse vetë femrat që vuajnë dënim në burgun e Idrizovës, veçanërisht ato që janë nëna, si problem e theksojnë mungesën e kushteve adekuate për realizim të takimeve me fëmijët e tyre. Edhe pse sipas normave ndërkombëtare, takimet e prindërve me fëmijët duhet të realizohen në hapësira të veçanta, të përgatitura enkas për fëmijët, një hapësirë e tillë mungon në burgun e Idrizovës. Kontaktet e prindërve me fëmijët në këtë burg realizohen në hapësirën e quajtur “dhomë për vizita”, ku realizohen edhe takimet e rregullta mes të burgosurve dhe familjarëve të tyre të moshave të rritura. Avokati i Popullit, por edhe nënat vlerësojnë se kjo është hapësirë joadekuate.
Drejtori i burgut të Idrizovës, Bobi Mojsovski, në deklaratën për Gazetën Lajm premton se së shpejti do të tejkalohet ky problem, kurse ndërkohë po bëhen përpjekje maksimale që fëmijët të mos e vërejnë një gjë të tillë.
Bobi Mojsovski, drejtor në burgun e Idrizovës:
Sa i përket takimeve me fëmijët, veçanërisht me fëmijët e moshës së mitur, kemi kujdes që vizitat të jenë më intime dhe të realizohen jashtë vizitave tjera. Megjithatë ata janë fëmijë të vegjël, fëmijë të moshës së mitur, dhe nuk dëshirojmë të jenë në kontakt me persona tjerë, që të tregojmë pasqyrë ndryshe për prindin e tyre. Fëmijët që kanë kujdestar dhe fëmijët e moshës madhore realizojnë vizita të rregullta. Kur bëhet fjalë për fëmijë, ku nëna është në burg, kurse fëmijët janë nën kujdesin e Qendrës për punë sociale. Kemi shërbim social punëtor social, që komunikon me Qendrën për punë sociale, me qëllim që t’i adaptohemi rrethanave, të mos e lënë shkollën, vizitat e tyre të realizohen jashtë vizitave të rregullta, të mund të vijnë në vizitë pa marë parasysh nëse është ditë për vizitë ose jo, që gjithçka të jetë e përshtatur për fëmijët, në koordinim me qendrën sociale.
Mojsovski thekson se pas miratimit të ligjit për amnisti, edhe numri i femrave që gjenden në burgje shënon rënie. Para një viti e gjysëm dy, në vitin 2016-17, numri ka qenë 98 deri 100, duke tejkaluar edhe kapacitetin e vetë repartit. Për momentin, numri është nën 50, e tani madje ka edhe krevatë të lirë dhe komoditet më të madh tek të burgosurat.
Bobi Mojsovski, drejtor në burgun e Idrizovës:
Për momentin, në buxhetin e vitit 2020 janë paraparë mjete për ndërtimin e një të ashtuquajturi kënd për fëmijë, ku fëmijët do të kenë kushte që vizita të jetë më interesante. Jo vetëm për këta fëmijë që po bisedojmë, por ka edhe fëmijë që vijnë me prindin, ose me fëmijë të ndonjë familjari. Prandaj planifikojmë një kënd për fëmijë, që të jetë më interesante edhe për fëmijët, por edhe të kenë një pasqyrë tjetër për burgun. Disa fëmijë të tyre janën nën përkujdesje të Qendrës sociale, e disa nën përkujdesje të prindit tjetër, për disa përkujdeset gjyshi ose gjyshja.
Një organizat që monitoron vazhdimisht gjendjen në burgje është edhe Komiteti i Helsinkit. Kryetarja e kësaj organizate, Uranija Pirovska, thotë se kushtet në burgun e Idrizovës janë të voshtra për shkak se bëhet fjalë për objekt mjaft të vjetër, ku ende ekziston lagështi, aromë e keqe, nevojitet renovim ose ndërtim i një pjese të re që do të ishte vetëm pjesë për femra. Ajo vlerëson se kushtet në repartin e burgut për femra janë pak më të mira, se në pjesën e burgut për meshkuj, për faktin që femrat që janë aty kujdesen edhe vetë për higjienën, që nuk është rast në repartin e meshkujve. Edhe Pirovska vlerëson se mbipopullimi tani nuk ëhstë problem, sepse pas ligjit për amnisti, numri i femrave të arrestuara është më i vogël.
Uranija Pirovska, Kryetare e Komitetit të Helsinkut:
Ne kemi vizituar të gjitha burgjet në Maqedoni, me përjashtim të burgut në Manastir që është në fazë rikonstruimi, dhe kemi konstatuar që është bë hap para me vetë faktin që burgu më i madh, ai në Idrizovë, ka repart të ri ku do të transferohen rreth 600 të burgosur dhe është mbyllur reparti më i keq, i ashtuquajtur “shkollorët”. Poashtu konstatuam që ekziston bashkëpunim mjaft i përmirësuar me Drejtorin për ekzekutimin e sanksioneve, nuk ekziston më ndalesë që ne të futemi në institucionet për ndëshkim dhe përmirësim dhe t’i konstatojmë kushtet që mbretërojnë, çdo herë kur paraqitemi për ndonjë vizitë në këto institucione na pranohet kërkesa. Unë me vite të tëra vizitoj persona të burgosur dhe vazhdoj edhe më tutje. Kështu që unë mendoj se është bë një hap para, nëse jo tjetër, tani së paku mund të përcillen kushtet në burgje, na mundësohemi të hyjmë brenda, dhe të dorëzojmë rekomandime adekuate te drejtoria për ekzekutimin e sanksioneve.
Vërejtja kryesore e Komitetit të Helsinkit kur bëhet fjalë për entet e ndëshkimit dhe përmirësimit mbetet fakti që shteti nuk ndan mjete të mjaftueshme që të munden të burgosurit ta vuajnë dënimin e tyre me burg në mënyrë dinjitoze dhe duke respektuar të drejtat e tyre. Mirëpo drejtori i burgut të Idrizovës premton se së shpejti do të ketë ndryshime tejet pozitive.
Bobi Mojsovski- raportet ndërkombëtare:
Lirisht mund të them që gjatë këtyre 20 muajve prej kur unë jam në postin e drejtorit, bëjmë përpjekje për të përmirësuar kushtet në burgje. Para një viti kemi hapur dy reparte me kapacitet prej 550 krevateve, njëri i hapur, tjetri gjysmë i hapur, me standarde evropiane, me qeli të veçanta që kanë televizorë, çdo qeli ka tualet të veçantë, dush kabinë. Në ndërkohë në bashkëpunim me Këshillin e Evropës dhe OSBE-në kemi marë ndihmë për renovim të plotë të repartit për femra, brenda nga OSBE kemi marë çarshafë për pjesën e ashtuquajtur ambulancë. Në këtë periudhë të shkurtër vërejtjet më të mëdha i kemi pasur për pjesën e ashtuquajtur për “pensionistë dhe shkollarë”, që ishin në situatë tejet të keqe, por i kemi rrënuar, poashtu edhe pjesën D dhe Z. Për momentin ende kemi disa probleme, që në ndërkohë po i zgjidhim, por mendoj se jemi duke shkuar në linjë të përmirësimit, në krahasim me vërejtjet e CPT-së nga viti 2016.
Mojsovski është i bindur se Maqedonia së shpejti do të largohet nga harta e vendeve që marin vërejtje permanente për situatën e vështirë në burgje. Ai thotë se në këtë drejtim, për vitin e ardhshëm janë paraparë edhe 6 ndërtesa të reja, që do të ndërtohen me ndihmën e Bankës Botërore dhe pjesëmarrje të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Do të ndërtohen edhe gjashtë ndërtesa të reja të tipit të mbyllur, me çka do të përmbyllet mbarë cikli për renovimin dhe ndërtimin e ndërtesave të reja në ENP Idrizovë. Ai paralajmëron edhe një risi tjetër- në kuadër të burgut të Idrizovës do të ndërtohet edhe objekt i gjykatës hetuese, si dhe do të transferohet burgu hetues nga Shutka, me qëllim që të evitohen harxhimet dhe rrëmujat për transferimin e vazhdueshëm të personave të paraburgosur dhe të burgosur në gjykata./Gazeta LAJM
Gazetarë: Senehate Nimani, Reshat Ibrahimi
Operator: Amir Idrizi