“Modric ka diçka që ju nuk e shihni në TV” – Pedri me fjalë të mëdha për mjeshtrin kroat

Mesfushori spanjoll, Pedri foli me fjalë të zgjedhura për Luka Modricin, yllin e madh të Kroacisë, para ndeshjes së tyre të parë në EURO 2024. 

Asi i ri i Barcelonës tashmë ka përvojë në lojën kundër mjeshtrit të Real Madridit, për të cilën ka folur para ndeshjes së nesërme mes Spanjës dhe Kroacisë në kuadër të xhiros së parë të Kampionatit Evropian.

Ndeshja luhet nga ora 18:00 në Berlin dhe duhet të sjellë një tjetër përplasje mes dy lojtarëve fantastikë.

“Sa herë që isha në fushë me Modricin, vura re se ishte shumë e komplikuar për t’ia merr topin. Më duket sikur e ka të ngjitur në këpucën e tij! Dhe një gjë tjetër më befasonte, e cila nuk vihet re aq shumë në transmetimet televizive, është se Luka luan në ritëm që është i mrekullueshëm”.

“Dhe pastaj, sigurisht, ajo prekje e topit me pjesën e jashtme të këmbës… Të gjithë e dinë se sa spektakolare është”, deklaroi Pedri.

Mesfushori kishte probleme me lëndimet sezonin e kaluar, por arriti të bëjë 34 paraqitje për Barcelonën, ku shënoi katër gola dhe asistoi pesë herë.

Sipas Transfermarkt, ai vlen 80 milionë euro dhe konsiderohet si një nga mesfushorët më të mirë sot.