MJK: Liderët e Kinës dhe ShBA-së do të bisedojnë për marrëdhëniet dypalëshe, paqen dhe zhvillimin global

Udhëheqësit e Kinës dhe ShBA-së do të bisedojnë thellësisht për çështje strategjike, që lidhen me situatën e përgjithshme dhe që kanë rëndësi orientuese në marrëdhëniet Kinë-ShBA, si dhe për probleme madhore që kanë të bëjmë me paqen dhe zhvillimin e botës, bëri të ditur të hënën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Mao Ning në një konferencë për shtypin

Ajo tha se Kina gjithmonë i vështron dhe i trajton marrëdhëniet kino-amerikane sipas tre parimeve të paraqitura nga presidenti Xi Jinping, pikërisht të respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. Konkurrenca midis fuqive të mëdha nuk përputhet me prirjen e sotme dhe nuk mund të zgjidhë problemet e palës amerikane dhe sfidat me të cilat përballet bota. Kina nuk ka frikë për konkurrenca, por kundërshton që konkurrenca të përcaktojë marrëdhëniet kino-amerikane.

Mao vuri në dukje më tej për sa i përket situatës në ngushticën e Tajvanit se të dyja anët e ngushticës i përkasin një Kine. Çështja e Tajvanit është një punë e brendshme e Kinës dhe zgjidhja e çështjes së Tajvanit është përgjegjësi e vetë popullit kinez. Kina nuk do të tolerojë asnjë ndërhyrje të jashtme.
Qeveritë e njëpasnjëshme të ShBA-së kanë marrë angazhime të qarta për çështjen e Tajvanit. Gjatë takimit në Bali, ShBA-ja e bëri të qartë se qeveria amerikane nuk e mbështet “pavarësinë e Tajvanit”. ShBA-ja duhet t’i përmbahet politikës së “Një Kine” dhe të kundërshtojë “pavarësinë e Tajvanit” me veprime praktike.

Zëdhënësja tha se pala kineze e ka bërë qartë thelbin e çështjes së Detit të Kinës Jugore dhe qëndrimin e Kinës ndaj kësaj çështjeje. Pala kineze nuk dëshiron asnjë centimetër territor që nuk i përket Kinës dhe nuk do të heqë dorë nga asnjë centimetër territor që i përket Kinës. Kina është e përkushtuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve përmes negociatave dhe konsultimeve me vendet përkatëse, por njëkohësisht është e palëkundur për të mbrojtur sovranitetin e vet kombëtar dhe integritetin territorial

Mao theksoi se aktualisht bota i kushton vëmendje të madhe konfliktit palestinezo-izraelit. Kina gjithmonë qëndron në anën e drejtë dhe do të mbajë kontakte të ngushta me palët e përfshira, duke qenë e përkushtuar për të qetësuar situatën dhe për të mbrojtur civilët. Ajo shprehu shpresën që ShBA-ja të mbajë një qëndrim objektiv e të drejtë dhe të luajë një rol konstruktiv në nxitjen e armëpushimit dhe përfundimin e luftës sa më shpejt, shkruan CMG.