Mitrevski: Deri më 28 Maj duhet të thirret seanca konstituive për përbërjen e re Parlamentare

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut filloi sot seancën e fundit të kësaj përbërje parlamentare, ku mes tjerash u miratua Deklarata për shënimin e katër vjetorit të anëtarësimit në NATO dhe 75 vjetorin nga themelimi i Aleancës. Kryeparlamentari, Jovan Mitrevski gjatë brifingut të sotëm me gazetarët tha se, seanca konstituive e përbërjes së ardhshme parlamentare do të thirret më së voni deri më 28 maj. Seanca do të zgjasë më së shumti tre ditë, ndërsa duhet ta thirr kryetari aktual i Kuvendit

“Nëse unë nuk e bëj këtë, në ditën e 21-të pas zgjedhjeve, seancën do ta thirr deputeti më i vjetër dhe do të udhëheqë me seancën deri në zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri. Kryetari i përbërjes së re parlamentare, në përputhje me afatet nga rregullorja e re, pritet të zgjidhet më së voni deri më 1 qershor” – tha Jovan Mitrevski, kryetar i Kuvendit.

Po ashtu, Mitrevski duhet ta thirre seancën për inaugurimin e presidentit të ri deri më 12 maj. Ai theksoi se, këto zgjedhje parlamentare janë të rregullta dhe sipas Kushtetutës, Kuvendi nuk do të shpërbëhet, megjithatë ai joformalisht do ta ndërpresë punën para fillimit të fushatës së zgjedhjeve presidenciale, që fillon më 4 prill.

“Ka hapësirë deri në fillimin e fushatës për zgjedhje presidenciale javën e ardhshme për çështje urgjente eventuale. Derisa zgjat fushata zgjedhore nuk planifikojë të thirr seanca dhe të gjitha aktivitetet tjera të Kuvendit do të redukotohen në minimalisht, që të shmanget mundësia për keqpërdorimin e foltores parlamentare” – tha Jovan Mitrevski, kryetar i Kuvendit.

Gjatë kësaj përbërje parlamentare 2020-2024 janë caktuar 149 seanca, 102 kanë përfunduar, ndërsa 46 janë të papërfunduara. Janë miratuar 548 ligje. Ndërsa, 130 akte kanë hyrë në procedurë por nuk kanë përfunduar. /tvklan.mk/