Mirëbesimi i lëkundur shqiptaro-maqedonas!

Shkruan: Sefer TAHIRI

Gati se tri dekada të pluralizmit demokratik, në diskursin politik dhe publik në Maqedoninë e Veriut, njëra ndër çështjet dominuese është ajo e statusit të shqiptarëve në këtë vend.

Premtimet e partive politike, që nga Partia e Prosperitetit Demokratik (1990- 1998), Partia Demokratike Shqiptare (1998- 2002) dhe, sidomos, nga Bashkimi Demokratik për Integrim, që pas përfundimit të konfliktit të armatosur në vitin 2001 dhe ngjitjen e saj në skenën politike, kanë qenë në drejtim të përmirësimit të statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve. Por, në vend të avancimit të këtij statusi, siç kishin premtuar, janë bërë lëvizje, të cilat për një pjesë të shqiptarëve janë zhgënjyese, për një pjesë janë minimale dhe nën pritjet optimale të shqiptarëve, ndërsa një pjesë jo vetëm që i mbështesin, por janë të mahnitur nga avancimet e bëra.

Marrëveshja e Ohrit nuk arriti mirëbesimin

Shqiptarët, përmes përfaqësuesve politikë dhe me mbështetjen e ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, që më pas do të jenë drejtuesit kryesorë të Bashkimit Demokratik për Integrim, u pajtuan me njërin nga parimet kryesore të këtij dokumenti paqësor, sipas të cilit “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pashkelshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike”. Po ashtu njëri ndër parimet e Marrëveshjes së Ohrit është edhe “ruajtja e karakterit shumetnik të shoqërisë maqedonase, e cila duhet të gjejë shprehjen e vet në jetën publike”. Në aspektin normativ-juridik, kushtetuta e re ka arritur të sigurojë që shteti të jetë unitar, përkatësisht që pushteti të shtrihet në tërë territorin e vendit, gjë që në aspektin formalo-juridik ndodh, edhe pse ekzistojnë komuna, ku jetojnë shqiptarët, në të cilat ligjet nuk gjejnë zbatim të plotë. Natyrisht se një pjesë të përgjegjësisë e kanë institucionet e shtetit, ndërsa në anën tjetër edhe partitë politike shqiptare, të cilat nuk kanë arritur ta kultivojnë në nivelin e duhur kulturën institucionale, madje në raste të caktuara duke e amnistuar, për interesa klanore dhe partiake, edhe shkeljen e ligjeve dhe akteve të tjera normative! Gjithsesi se shqiptarët gjatë historisë kanë qenë të diskriminuar sistematikisht nga shteti dhe institucionet e tij, por kjo nuk do të thotë se ndaj diskriminimit duhet të përgjigjesh me jolegalitet!

Parimi i Marrëveshjes së Ohrit, që shoqëria jonë të transformohet nga monoetnike ose etnokratike në shumetnike dhe demokratike, mbetet një ideal i dëshiruar, pasi as shoqëria e as shteti nuk kanë arritur nivelin e shumetnicitetit dhe demokratizimit të duhur, meqë të gjitha zotimet se do të bëhet kjo mbeten vullnet i deklaruar partiako-politik, ndërsa realiteti e dëshmon të kundërtën. Ka ndodhur përparim me “hapat e breshkës” në procesin e ndërtimit ose arritjes së mirëbesimit, që është aneksi C i Marrëveshjes së Ohrit, për të cilin synim janë parashikuar një sërë masash, që është dashur të zbatohen. Në jetën e përditshme ka një relaksim të marrëdhënieve ndëretnike, krahasuar me pushtetin e kaluar të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, gjatë të cilit krijoheshin skenarë politike me impakt etnik, nga realizimi i të cilave përfitonte VMRO-DPMNE-ja, ndërsa nga reagimi ndaj tyre, përfitonte BDI-ja. Rasti i përplasjes etnike mes tifozëve shqiptarë dhe maqedonas në Kalanë e Shkupit, që ndodhi në shkurt të vitit 2011, është shembull ilustrues i politikës makiaveliste që ngrihej majave të larta në kurriz të shqiptarëve.

Brohoritjet “Shqiptar i vdekur” – reflektim i ambientit antishqiptar!

Se marrëdhëniet ndëretnike nuk janë as për së afërmi ashtu siç dëshiron t’i prezantojë politika, këtë e dëshmojnë rastet e pareshtura, të cilat nuk kanë të ndalur, pavarësisht nëse në pushtet është VMRO-DPMNE-ja ose Lidhja Socialdemokrate. Kundër shqiptarëve brohoritet në stadiume, në sheshe, në rrugë, në tubime partiako-politike, madje edhe në dasma këndohen këngë antishqiptare! Ngjashëm, edhe një pjesë e shqiptarëve, në hapësirën publike, përdorin formulime paragjykuese dhe stereotipizuese ndaj maqedonasve, por institucionet e shtetit gjatë gjithë këtyre viteve kanë treguar se janë shumë vigjilentë dhe aktivë kur janë pyetje shqiptarët! Mjafton vetëm ta kujtojmë rastin e burgosjes së të rinjve, që vetëm pse e vizatuan grafiti, në të cilin shkruante “Shqipëri e Madhe” u dënuan me një vit burg me kusht. Me 12 muaj heqje lirie, por me kusht u dënuan Valon Kurtishi, Tonus Papraniku, Rinor Sllova dhe Petrit Ibraimi, nën akuzën se vizatuan hartën e Shqipërisë Etnike në Tetovë, që është në kundërshtim me rendin kushtetues të Maqedonisë së Veriut.

Thirrja raciste, që kryesisht përdoret nga grupi i tifozëve “Komitët”, u dëgjua edhe këtyre ditëve “Shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”, ishte thirrja që u dëgjua në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit. Mediat në shqip, por edhe ato maqedonase, raportuan se “dhjetëra tifozë të rinj maqedonas, përfshirë mosha të ndryshme, ishin protagonistët e këtyre britmave”. Mediat shqiptare i cilësuan si tmerruese dhe provokuese, ndërsa komentet u bënë edhe më të ashpra nga qytetarët shqiptarë, të cilët në rrjetet sociale shprehën pakënaqësinë e tyre të madhe, pasi huliganët maqedonas këtë akt e bënë, duke provokuar në rrugë një kolonë dasmorësh. Ky rast mund të përshkallëzohej edhe më shumë, por falë reagimit të matur të të riut Adnan Abdulla, i cili i hipur mbi një motor, duke mbajtur në dorë flamurin kuq e zi, ndaloi përballë një grupi të rinjsh, që brohorisnin në kor thirrjet antishqiptare. Qeveria reagoi me anë të komunikatës, ndërsa Prokuroria Publike ka ngritur procedurë para-hetimore ndaj 16 maqedonasve. Nëse shteti nuk e mbyll me epilog gjyqësor këtë rast, do të jetë bashkëpërgjegjës për faktin që ai ka ndodhur.

Përndryshe Gjorçe Petrovi, që është një kufi jo vetëm simbolik, por edhe faktik, përkatësisht kufitar midis identitetit etnik maqedonas dhe atij shqiptar, pasi aty ku përfundon kjo lagje nis hapësira etnike shqiptare, e cila shtrihet në perëndim të Maqedonisë së Veriut, është e njohur për ngjarje konfliktuoze me dimensione ndëretnike. I tillë ka qenë edhe rasti, që ka ndodhur në maj të vitit 2014, në të cilin u vra 19-vjeçari Angell Petkovski, ndërsa i akuzuari Naser Eshtrefi, si autor i vrasjes, u dënua me 14 vjet burg!

Grubi dhe Kasami me kërkesa etnike në sektorin privat!

Brishtësinë e marrëdhënieve ndëretnike e dëshmuan edhe reagimet e shumta ndaj idesë së Artan Grubit, që mban pozitën e zëvendëskryeministrit të parë në Qeverinë e Zaevit. Ai propozoi subvencione shtetërore për punësimin e pjesëtarëve të bashkësive etnike, pra edhe të shqiptarëve në kompanitë private dhe shoqëritë aksionare. Pavarësisht që ideja duket paradoksale, meqë partia që përfaqëson Grubi, si pjesë e qeverisë, nuk ka arritur të sigurojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në administratë, sidomos duke mos sistemuar 800 administratorët shqiptarë, duhet gjetur modalitet që të korrigjohet edhe padrejtësia e madhe historike, që u është bërë shqiptarëve gjatë tri dekadave në sektorin privat dhe kompanitë, në të cilat qeveria ka përfaqësues të saj, kjo për faktin që ky sektor përbëhet nga kompani, të cilat janë privatizuar nga kompanitë me kapital shtetëror, të cilat janë ngritur dhe mbindërtuar me djersën dhe krahun e punës edhe të shqiptarëve. Asnjë vendim, që nuk ka veprim retroaktiv, siç edhe nuk mund të ketë një të tillë, nuk mund ta rrafshojë diskriminimin e madh ekonomik që u është bërë shqiptarëve në komunizëm dhe tranzicion nga sistemi komunist me ekonomi të planifikuar në atë demokratik me ekonomi ose liri të tregut. Të njëjta reagime histerike u bënë edhe ndaj idesë së Bilall Kasamit nga Lëvizja BESA për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në kompanitë private, i cili – si pjesë e qeverisë – së pari duhet të sigurojë përdorimin e shqipes në institucionet e sistemit dhe në administratën e shtetit.

Si përfundim: fakti që kemi edhe më tej tendosje të marrëdhënieve ndëretnike edhe në rrugë dhe vende tjera publike, dëshmon se për kthimin e mirëbesimit nevojitet zbatimi i ligjeve, angazhimi i institucioneve, por mbi të gjitha edhe ndryshimi i mentalitetit etnokulturor, që tjetrin e sheh si rrezik, si kërcënim serioz ose si kanosje. Por, mentalitetin duhet ta ndryshojnë shkollat, mediat dhe faktorë e ndryshëm socialë, të cilët fatkeqësisht – në masë të madhe – përbëhen nga njerëz, të cilët drejtat e shqiptarëve i trajtojnë si humbje të të drejtave të maqedonasve!

*Marrë nga SHENJA