Ministrja e Jashtme e Gjermanisë për vizitë në Maqedoninë e Veriut

Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës Federale të Gjermanisë, Analena Berbok, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, do të realizojë vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut më 23 mars 2023, njoftojnë nga MPJ.

“Bisedimet ndërmjet dy ministrave do të fokusohen në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, ndër të tjerash edhe në ndryshimet e ardhshme kushtetuese, si angazhimi ynë për vazhdimin e procesit të negociatave me Unionin. Si tema të bisedimeve do jenë edhe marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve me theks në bashkëpunimin e pasur ekonomik, kryesimin tonë me OSBE-në dhe bashkëpunimin në kuadër të aleancës së NATO-s në dritën e arkitekturës së lëkundur evropiane të sigurisë”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Në kuadër të vizitës së saj të parë në vend, theksojnë nga MPJ, ministrja Berbok, krahas takimit me homologun e saj, Ministrin e Punëve të Jashtme Bujar Osmani, do të pritet edhe nga presidenti Stevo Pendarovski, Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, Kryetari i Qeverisë Dimitar Kovaçevski dhe Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ndërsa do të realizojë takime edhe me Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme, si dhe me përfaqësues të partive opozitare.