Ministri i Kulturës në Rijekë: Artistët të marrin pjesë në krijimin e politikave

Lëvizshmëria e artistëve dhe profesionistëve, paraqet pjesë vitale në procesin e profilimit dhe zhvillim të kontekstit rajonal kulturor, tha ministri i kulturës, Hysni Ismaili në fjalimin e tij në mbledhjen e Këshillit të ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore, që u mbajt në Rjekë. Ministri Ismaili, në fjalimin e tij, theksoi rëndësinë e politikave dhe instrumenteve të partnerëve të platformës rajonale për mbajtjen e dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv në frymën e respektit të ndërsjellë të diversitetit dhe tolerancës, me qëllim ndërtimin e shoqërive bashkëkohore, demokratike dhe të qëndrueshme.

Hysni Ismaili, Ministër i Kulturës

“Me qëllim që të realizohen prioritetet e platformës rajonale, ne si Ministri e Kulturës duhet të mundësojmë pjesëmarrje aktive të të gjithë aktorëve kulturor në realizimin e politikave tona. Lëvizshmëria e artistëve dhe profesionistëve, përfshirja e tyre në projekte të koproduksionit me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe ndërtimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale, paraqet pjesë vitale në procesin e profilimit dhe zhvillim të kontekstit rajonal kulturor”.

Ai shtoi se fokusi i bashkëpunimit edhe në të ardhmen duhet të synojë shkëmbimin e përvojave ndërmjet artistëve profesionist dhe artistëve të të gjitha disiplinave në sektorin e kulturës, digjitalizimi dhe zbatimi i teknologjive të reja , mbrojtja e trashëgimisë kulturore, krijimi i mënyrave të reja të prezantimit dhe promovimit të tij, lufta kundër tregtisë së paligjshme me të mirat kulturore, mbrojtja e të drejtave autoriale, zhvillimi i industrive kreative dhe turizmit kulturor. Në mbledhje u miratua dhe u nënshkrua deklarata ku janë të identifikuara, sfidat aktuale me të cilat ballafaqohet sektori kulturor si dhe drejtimet për bashkëpunim të ardhshëm. /SHENJA/