Ministri i Jashtëm kinez : Të gatshëm për të ndërmjetësuar djalogun e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi dha një konferencë virtuale shtypi të hënën, në kuadër të sesionit të 5-të të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore në Pekin, ku iu përgjigj pyetjeve mbi çështjet e politikës së jashtme nga gazetarë të huaj e kinezë.

Lidhur me krizën në Ukrainë, Wang bëri thirrje për qetësi dhe arsye në zgjidhjen e kësaj krize, duke theksuar se mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen me anë të dialogut, negociatave dhe mjeteve paqësore.
Kina do të luajë një rol konstruktiv në promovimin e bisedimeve të paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, shtoi ai.
“Kina është e gatshme të vijojë të luajë një rol konstruktiv për të lehtësuar dialogun për paqen dhe të punojë me bashkësinë ndërkombëtare kur është e nevojshme për të kryer ndërmjetësimin e duhur,” u shpreh ministri i Jashtëm.
Shoqata e Kryqit të Kuq e Kinës do të japë ndihmë urgjente humanitare për Ukrainën sa më shpejt të jetë e mundur, u tha Wang gazetarëve.
Për marrëdhëniet Kinë-Rusi, Wang vuri në dukje se ato bazohen në mosaleancë, mospërballje dhe mosshënjestrimin e ndonjë pale të tretë. Këto marrëdhënie janë të pandikuara nga ndërhyrjet apo mosmarrëveshjet që duan të krijojnë palët e treta, shtoi ai.

Lidhur me marrëdhëniet Kinë-ShBA, ai bëri thirrje për kthimin e tyre në rrugën e duhur.

“Në një botë të globalizuar dhe të ndërvarur, mënyra se si Kina dhe ShBA-ja mund të gjejnë rrugën e duhur për të ecur përpara dhe për të pasur marrëdhënie të mira është një pyetje e re për njerëzimin dhe një formulim që duhet të përpilohet nga Kina dhe ShBA-ja së bashku,” shtoi ministri i Jashtëm Wang Yi.