Ministrat e Jashtëm të NATO-s takohen fizikisht për herë të parë që nga 2019

Ministrat e Jashtëm nga 30 vendet anëtare të NATO-s do të takohen fizikisht në selinë e aleancës në Bruksel për herë të parë në më shumë se një vit.
Ministrat duhet të përgatiten për një samit të ardhshëm duke diskutuar një seri propozimesh për të reformuar bllokun ushtarak.

Sekretari i ri i Shtetit i SHBA, Antony Blinken do të marrë pjesë në takimin e tij të parë ministror të NATO-s, pjesë e një vizite europiane që mund të ndihmojë në rivendosjen e marrëdhënieve transatlantike, të acaruara nën administratën e mëparshme të SHBA.

Për shkak të masave të kufizimit Covid-19, hera e fundit që ministrat e Jashtëm të NATO-s u takuan ballë për ballë ishte në nëntor 2019.

Aleatët do të këshillohen gjithashtu për të ardhmen e misionit të tyre në Afganistan, por nuk pritet asnjë vendim.

Të gjithë sytë janë drejt Uashingtonit, ndërsa presidenti Joe Biden vendos nëse vendi i tij do të largohet ose jo nga vendi i shkatërruar nga lufta.