Miniera në Llojan po “helmon” popullatën

Jetë e ndotur në Llojan dhe Vaksincë të Kumanovës. Edhe pse miniera në Llojan nuk funksionon për pesë dekada, ajo megjithatë po e helmon popullatën.

“Miniera në Llojan, Kumanovë, është një nga 16 “pikat e nxehta” që ndotin tokën. Kjo tokë e portokalltë është plot me metale të rënda. Arsen, antinom, krom … ndotin popullsinë e fshatrave të Kumanovës, Vaksincë dhe Llojan”.

Nga miniera përhapet erë e keqe. Metalet e rënda maten në ton. Banorët e Llojanit nuk duan të flisin haptas, ndërsa prapa kamerës së Alsat ata thonë se shpesh sëmuren dhe numri i banorëve që vdiqën nga kanceri është i lartë. Profesori i kimisë Trajçe Stafilov thotë se uji dhe toka këtu janë të ndotura. Era e përhap pluhurin e ndotur ndërsa shiu tashmë ka futur thellë në tokë metalet e rënda.

Ja Llojani. Kjo që e shihni është koncentrat i arsenikut me 50% arsenik në të. Kështu janë braktisur 15,000 tonë. Ja shkolla fillore 120 metra larg me një numër të madh të fëmijëve. Këtu mësojnë fëmijë, ndërsa këtu është edhe fshati Llojan – Vaksincë. Të gjitha ujërat nëntokësorë janë të ndotur, të gjitha puset kanë ujë të ndotur me arsenik – deklaroi Trajçe Stafilov, profesor në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore.

Deponitë industriale, siç është miniera e Llojanit, mbeten në listën prioritare të Ministrisë së Mjedisit. Nga atje, për Alsat thonë se një pjesë e mbeturinave është e mbuluar me disa shtresa tokë. Miniera për gjashtë vjet është nën koncesion nga kompania turke “Kaltun Madden Çelik”. Në shkurt të vitit 2018, ata morën licencë për eksploatim, ndërsa këtë proces e filluan këtë vit. Nga miniera janë nxjerrë metalet e rënda, pohojnë nga Ministria e Ekonomisë. Por kjo në terren, nuk vërehet.

Koncesioneri në tremujorin e parë ashtu edhe në të tretin ka raportuar sasi të eksploatuar dhe të shitur të lëndës së parë të mineraleve prej 5080 m3 / t për çka ka paguar nga 10,160 denarë- thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Kompania “Kaltun Madden Çelik” për minierën e Llojanit ka koncesion deri në gusht të vitit 2024. Deri atëherë, ata kanë për detyrë të heqin metalet e rënda. Pastaj, ata duhet të bëjnë rehabilitimin e tokës dhe ta kthejnë atë në normalitet.