Milloshovski: Pushteti vetë e rrezikon miratimin e Ligjit të Prokurorisë

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Antonio Milloshovski ka vlerësuar se debati publik mbi Ligjin për Prokurori Publike ka qenë kryesisht kritik, sipas tij pjesa më e madhe e ekspertëve kanë sugjeruar që propozim ligji të ripërpunohet nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.

“Opinioni i ekspertëve në diskutimin publik për dy ditë ishte kryesisht kritik. Pjesa më e madhe rekomanduan që ky propozim të ripërpunohet nga ministria. Për nesër është caktuar një takim në përbërje më të gjerë ku do t’i shqyrtojmë të gjithë vërejtjet konkrete gjatë diskutimit publik. Ajo që neve ma shumë na intereson është se pse kryeprokurori publik i cili flet për ligjin e ri të Prokurorisë nuk e respekton ligjin aktual për prokurorinë që është në fuqi. Ligji parashikon që kur keni prokuror publik të arrestuar ai largohet nga vendi i punës. Kur është i larguar nga vendi i punës nuk mund të japë vendime. Letrat e dërguara nga Katica nuk janë letra dashurie por janë letra që publiku duhet t’i shohë dhe të sqarojë se pse i ka zbatuar ato. Qëllimi i pushtetit me këtë propozim ligj është që sa më gjate të mbahen në detyra Joveski dhe Ruskoska edhe pas ndryshimit të qeverisë. Me detyrë janë prokuror por me veprime janë avokatë të pushtetit. Do të shikojmë të mos ketë asnjë normë me të cilat avokatët e Zaevit Joveski dhe Ruskoska do të mbahen në këto pozita edhe pas ndryshimit të pushtetit”, deklaroi Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së, duke shtuar se megjithatë debati publik ka qenë i vonuar.

“Të gjithë vumë re se sa një diskutim i këtillë publik ka munguar dhe sa është i vonuar. Duhet të mbahej një vit me parë. Në një politizim të këtillë parazgjedhor dhe në një kohë kaq të ngushtë pushteti vetë e vendos ligjin në rrezik që te mos votohet”, tha Milloshovski.