Milloshovski: Bashkëpunimi i deritanishëm me ASH-në ishte produktiv (Video)

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, thotë se partia që përfaqëson ai e respekton vendimin Aleancës për Shqiptarët për ndërprerjen e bashkëpunimit. Në një prononcim për gazetën LAJM, Milloshovski tha se bashkëpunimi i deritanishëm me ASH-në ka qenë produktiv.

“Shpresoj që Aleanca për Shqiptarët njësoj si VMRO-DPMNE-ja, akoma e kanë vetëm një prioritet të madh dhe ai është ndërrimi i qeverisjes, sepse siç e shohim edhe në planin ekonomik edhe atë arsimor, apo sa i përket inflacionit, buxhetit, standartit të jetesës, kjo qeveri e çon vendin në drejtim të gabuar. Dhe, nëse duam të ndryshojmë diçka për të mirë, duhet ta ndryshojmë qeverisjen. Për këtë do të ishte mirë që të gjitha partitë politike ndajnë qëllimin e njejtë. Megjithatë, vendimin e tyre ne nuk mund ta nënvlerësojmë, ata kanë qëllimet e tyre politike, ju urojmë sukses. Bashkëpunimi i deritanishëm ishte produktiv, sidomos në nivel lokal në më shumë komuna, përfshirë edhe komunën e Gostivarit, ku kemi punuar në projekte që janë në interes të qytetarëve që na kanë dhënë mbështetje dhe shpresoj që në një të ardhme të afërt do të mundemi sërish të punojmë për projekte të tilla të suksesshme”, tha Milloshovski.