Mijëra palestinezë ikin nga kampi i refugjatëve Jenin pas sulmit të madh izraelit në Bregun Perëndimor

Mijëra palestinezë janë larguar nga kampi i refugjatëve Jenin pasi ushtria izraelite nisi një operacion të madh në Bregun Perëndimor të pushtuar, ka thënë një zyrtar i lartë palestinez.

“Ka rreth 3,000 njerëz që janë larguar nga kampi deri më tani”, ka thënë për agjencinë AFP, zëvendës guvernatori i Jeninit, Kamal Abu al-Roub, duke shtuar se po bëheshin marrëveshje për t’i strehuar ata në shkolla dhe strehimore të tjera në qytetin e Jeninit.

Ai tha se rreth 18,000 palestinezë banojnë normalisht në kamp.

Shërbimi i shpëtimit të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze dha të njëjtën shifër dhe tha se priste që eksodi të vazhdonte, mes sugjerimeve nga Izraeli se operacioni mund të zgjasë me ditë.

Ndryshe, Izraeli nisi të hënën operacionin e tij ushtarak më intensiv në Bregun Perëndimor të pushtuar në gati dy dekada, duke kryer një seri sulmesh me dronë dhe duke dërguar qindra trupa në një mision të hapur në një bastion të militantëve.

Të paktën 10 persona u vranë, me 100 të plagosur, 20 prej tyre në gjendje kritike, tha ministria palestineze e shëndetësisë.

E Juliette Touma, zëdhënëse e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë, konfirmoi për AFP se banorët e kampit po largoheshin.

UNRWA, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë, tha se shumë banorë të kampit kishin nevojë për ushqim, ujë të pijshëm dhe qumësht pluhur.

Kampi në periferi të qytetit verior të Jeninit të Bregut Perëndimor u krijua në vitet 1950 dhe zona është parë prej kohësh si një vatër e asaj që palestinezët e konsiderojnë rezistencën e armatosur dhe izraelitët e shohin si terrorizëm.