TV21: Mijallkovi ka ikur përmes zonë kufitare në Kumanovë?

Mijallkov nuk është, ndërsa ende vazhdon bastisja e automjeteve dhe marrja në pyetje. Mbrëmë gjatë bastisjes së një automjeti Golf7, janë gjetur dhe sekuestruar celularë të markës Iphone, dokumente, çantë të cilat menjëherë janë dorëzuar për ekspertizë në Sektorin për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale pranë MPB.

Policia ka sekuestruar edhe automobilin, ndërsa të njëjtit do t’i kryhet edhe ekspertizë shtesë për gjetjen eventuale të materialit DNK.

Në këtë drejtim po lëvizin edhe detajet të cilat i ka prokurorja Villma Ruskoska, ndërsa për të cilat ASK nuk ka pasur informacione. Në deklaratë për TV21, Ruskoska thotë se sipas burimit të saj, Mijallkov është larguar nga vendi në afërsi të Kumanovës, në këmbë përmes zonës së gjelbër kufitare.

“Burimi më tha se Mijallkov do të ikë nga vendi përmes hapësirës së gjelbër te pika kufitare në Kumanovë”, tha Ruskovska.

TV21 mëson se përpos vizualitetit, si masë për kujdes është ndjekur edhe telefoni celularë i Sasho Mijallkovit. Nga restoranti “Distrikt” ku TV21 e vërejti, sinjali është ndjekur deri në shtëpinë e tij në Vodno, por policia atje ka gjetur vetëm celularin e jo edhe Mijallkovin.

Prokurorja Ruskoska për më pak se 24 orë ka dhënë 3 intervista në të cilat thotë se Mijallkov mund të jetë ende në vendin tonë, duke theksuar se pasaporta i është marrë, por nuk e di nëse posedon pasaportë çeke apo kroate.

Deri vonë në mbrëmje në stacionin policorë në Kisella Vodë kanë zgjatur bisedat informative me të afërmit dhe anëtarët e sigurimit, por sipas burimeve tona askush nuk e ka ditur se ku është personi pas të cilit po gjurmon i gjithë shteti.

Për Mijallkov-in nga dje në fuqi është edhe fletë arresti ndërkombëtarë, ku është i përfshirë edhe Interpoli.