Mickoski: Mandati i Qeverisë është 4 vjet, por nëse opozita kërkon zgjedhje, do të caktojmë datën

Shkup, 19 gusht 2026 (MIA) – Kryeministri dhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi sonte se, nëse opozita kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, ata janë të gatshëm në çdo kohë të dalin në zgjedhje dhe t’i fitojnë ato. Mickoski tha se qëndrimi i tij është i njohur dhe se Qeveria e tij ka marrë mandat katërvjeçar.

“Qëndrimi im është i njohur për opinionin, sikurse edhe qëndrimi i kësaj Qeverie, se ne kemi marrë mandat për katër vjet. Mandati përfundon në pranverën e vitit 2028. Ende kemi një Qeveri teknike. Kështu që mandati i kësaj Qeverie politike do të duhej të përfundonte diku nga fundi i vitit 2027. Këto janë parametrat që mund t’i them tani dhe mbi bazën e të cilëve kemi marrë besimin e qytetarëve”, tha Mickoski në një intervistë për emisionin “Tema e ditës” në TV Sitel.

I pyetur se çfarë mund ta ndryshojë qëndrimin e tij, ai tha se është logjike që opozita të dëshirojë të jetë në Qeveri, sepse mendon se mund të jetë më e mirë se Qeveria aktuale. Nëse opozita kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, atëherë, si Qeveri, janë të gatshëm për një takim liderësh, ku do të dakordoheshin për datën dhe do të shkohej në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Nuk do të ikim, sigurisht. Prandaj them se mandati ynë është katër vjet dhe për një periudhë të tillë kemi marrë mbështetjen e qytetarëve për të realizuar reformat. Por, nëse opozita na e hedh dorashkën, është normale që ne të mos ikim frikacakisht nga zgjedhjet. Përkundrazi, ne jemi të gatshëm në çdo kohë të dalim në zgjedhje dhe t’i fitojmë ato”, deklaroi kryeministri Mickoski.