Mickoski: Avionët ushtarakë amerikanë përdorin çdo ditë aeroportet e RMV-së

Avionët ushtarakë amerikanë të angazhuar në operacionet e lidhura me luftën me Iranin çdo ditë ulen dhe ngrihen nga aeroportet e Maqerdonisë, ndërsa një pjesë e tyre qëndrojnë këtu para se të nisen përsëri drejt Gjirit Persik, transmeton Portalb.mk.

Këtë e zbulon kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për „Breitbart News“ të SHBA-së, pjesa e parë e së cilës u publikua pardje. Bëhet fjalë për pjesën e intervistës në të cilën kryeministri flet për mbështetjen konkrete që Maqedonia e Veriut u ofron Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

„Breitbart“ e vendos përdorimin e aeroporteve maqedonase drejtpërdrejt në kontekstin e luftës me Iranin, duke theksuar se Forcat Ajrore të SHBA-së i përdorin ato si lokacion strategjik pranë Lindjes së Mesme.

„Forcat Ajrore amerikane i përdorin aeroportet tona, kështu që çdo ditë avionët e Forcave Ajrore amerikane ulen dhe ngrihen nga aeroportet tona. Disa prej tyre i përdorin aeroportet tona për parkim, për pak pushim dhe më pas përsëri nisen drejt Gjirit“, thotë Mickoski.

Sipas kryeministrit, hapësira ajrore e Maqedonisë është e hapur për mjetet ajrore ushtarake amerikane, ndërsa vendi është i gatshëm të vazhdojë me këtë lloj mbështetjeje.

„E kemi qiellin e hapur për avionët amerikanë, për avionët ushtarakë, dhe jemi krenarë dhe të gatshëm të ofrojmë një mbështetje të tillë për Forcat Ajrore amerikane“, thotë ai.

Në intervistë nuk specifikohet se për cilat lloje të avionëve ushtarakë amerikanë bëhet fjalë, e as në cilat aeroporte ulen ata. Gjithashtu, nuk bëhet e ditur nëse gjatë qëndrimit në vend bëhet furnizimi me karburant apo ndonjë lloj tjetër furnizimi logjistik. Mickoski konkretisht flet për „parkim“ dhe „pushim“, pas së cilës, sipas tij, avionët vazhdojnë përsëri drejt Gjirit Persik.

Mickoski e vendos këtë bashkëpunim në një kontekst më të gjerë të partneritetit strategjik mes Shkupit dhe Uashingtonit. Në intervistë ai thotë se kur SHBA-së i nevojitej mbështetja e aleatëve, Maqedonia e Veriut „nuk u fsheh në turmë“, por qëndroi në anën e SHBA-së edhe kur kjo kishte kosto politike.

Mbështetja për Trumpin në Maqedoni, thotë Mickoski në intervistën për median amerikane, është shumë e lartë, më e lartë se kudo në Evropë.