Micevski: Deputetët e VMRO-DPMNE-së do të marrin pjesë në seancën e 36-të

Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së do të marrë pjesë në seancën e nesërme të 36-të në rend të së cilës janë ligjet nga pakoja e pestë e masave, deklaroi sonte koordinatori i grupit të deputetëve Nikolla Micevski.

Duke qenë mysafir në ditarin qendror të televizionit “Sitel”, Micevski tha se nuk do të marrin pjesë në seancën e 32-të, e cila është caktuar para seancës së 36-të.

“Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së do të jetë në Kuvend dhe do të marrë pjesë në punën e seancës së 36-të. Nëse nuk kanë deputetë, të gjithë 44 deputetët e VMRO-DPMNE-së do të vijnë në sallën plenare. Nuk do të jemi brenda në seancën e 32-të. Puna e kryetarit të Kuvendit është të konstatojë se a ka apo jo kuorum për seancën e 32-të. Nëse ka kuorum, ai funksionon pas seancës së 32-të dhe përfundon me të. Nëse nuk ka kuorum, as nuk e fillon ose konstaton dhe e ricakton për ndonjë kohë tjetër”, tha Micevski.