Mexhiti nuk mori pjesë në koordinimin e deputetëve të BDI-së me Ahmetin, Koxhaxhiku po (Video)

Deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti, nuk ka marrë pjesë në koordinimin e grupit parlamentar të BDI-së, që është mbajtur dje në Kuvend, në prezencë të kryetarit të kësaj partie, Ali Ahmetit, shkruan gazeta LAJM. Por, ndryshe nga Mexhiti i cili kundërshton hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, në koordinim me Ahmetin ka marrë pjesë deputetja Merita Koxhaxhiku, e cila është poashtu pjesë e të pakënaqurve në BDI.

“Zonja Koxhaxhiku dje ishte në koordinim dhe nuk ka patur zyrtarisht diçka të deklaruar se janë për apo kundër. Por, ajo çka është me rëndësi është se të gjithë deputetët, të cilët besojnë tek Ali Ahmeti, si një fitimtar në këto 20 vitet e fundit nuk kanë kurrfarë dileme në krijimin e frontit të gjërë evropian”, tha për gazetën LAJM, Arbër Ademi, shef i grupit parlamentar të BDI-së.

Lajm: A është i bashkuar grupi parlamentar i BDI-së për ndryshimet në Qeveri?

Arbër Ademi: Sigurisht që të gjithë deputetët që janë të rreshtuar pas Ali Ahmetit, pas vizionit të Ali Ahmetit nuk kanë asnjë dilemë rreth krijimit të frontit evropian, një gjë të tillë është konfirmuar edhe dje gjatë koodrinimit të rregullt të grupit parlamentar të BDI-së, kur prezent ka qenë edhe kryetari Ali Ahmeti se ne duhet të bëjmë çmos duke rrumbullakësuar këtë interes tonin strategjik, duke i ftuar edhe të tjetër që të përqafojnë këtë ide dhe këtë platformë.