Mexhiti nuk i beson anketës së Bujar Osmanit për ministrat e BDI-së: Mos po flet për anketë në Korenë e Veriut?

BDI-ja realizon anketa dhe rezultatet e fundit që dalin nga ato tregojnë se anëtarët e partisë janë të kënaqur nga përbërja qeveritare aktuale e BDI-së. Këtë në Tv21 e deklaroi Bujar Osmani derisa ka folur për temat politike si zëdhënës partie.
“Nga anketa e fundit që është bërë nga partia, në mbledhjen e fundit të kryesisë u prezantua edhe raporti. Aty thuhej se 98% e të anketuarve, anëtarë të BDI-së janë deklaruar se janë të kënaqur nga ministrat aktual që janë në Qeveri”, tha Osmani.
Mirëpo kësaj ankete që ka përmendur Osmani nuk i besojnë as vetë anëtarë të lartë të BDI-së. I pyetur nga gazeta Lajm, anketën e përmendur nga Osmani e komenton nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, i cili një kohë të gjatë nuk e fsheh pakënaqësinë e vet nga një pjesë e kuadrove partiake në ekzekutiv. Duke shprehur rezerva ndaj shifrës 98 për qind besim të anëtarësisë te ministrat, Mexhiti me humor pyet Osmanin mos është realizuar anketa në ndonjë Agjenci në shtete diktatoriale, si Koreja e Veriut.

“Fillimisht le të na tregojë cili agjencion e ka bë atë anketë, cili agjencion i rri mbrapa asaj ankete, sepse sipas numrave del që është ndonjë agjencion i Koresë së Veriut. Për gjëra tjera do të flasim kur të na e tregojë Agjencionin, sepse rezultate të këtilla në anketa dalin vetëm në shtete diktatoriale”, theksoi Mexhiti për gazetën Lajm.