Meta: Kosova e Serbia duhet t’i kapërcejnë tensionet e të vijojë dialogu

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas situatës së krijuar në Bërnjak e Jarinje pas masës së reciprocitetit për targat e vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Ai tha se ruajtja e sovranitetit shtetëror dhe e integritetit territorial të Kosovës është faktor kyç përo paqe në rajon.

“Ruajtja e sovranitetit shtetëror dhe e integritetit territorial të Republikës së Kosovës është faktor kyç për konsolidimin e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon dhe baza e ndërtimit të marrëdhënieve të qëndrueshme me Serbinë”, ka shkruar Meta në llogarinë e tij në Facebook, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, Meta tha se Kosova e Serbia duhet t’i kapërcejnë tensionet e të vijojnë dialogun dhe t’u përmbahen detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet e arritura nga të dy vendet në ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së.

Kujtojmë se që nga dita e hënë, Qeveria e Kosovës e ka vënë masën e reciprocitetit për targat e veturave që hyjnë nga Serbia në territorin e Kosovës dhe po nga ajo ditë në pikëkalimin kufitar në Bërnjak e Jarinje janë duke qëndruar forca të shumta të Njësisë Speciale.