Meta dhe Thaçi, homazhe në kompleksin përkujtimor në Reçak

21 vite më parë do të ndodhte një nga masakrat më të mëdha të bëra nga ushtria serbe në Kosovë, pikërisht në fshatin e Reçakut u vranë 45 civilë.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, prej ditës së djeshme ndodhet në Kosovë dhe do të jetë pranishëm në veprimtarinë përkujtimore të masakrës së Reçakut.

Në orën 10:30 së bashku me homologun kosovar Hashim Thaçi dhe përfaqësues të tjerë të politikës së Kosovës, presidenti Meta zhvilloi homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.

“Masakra e Reçakut ishte krim kundër njerëzimit dhe genocid. Serbia duhet të japë llogari. Drejtësia herët a vonë do të ngadhënjejë” tha Thaçi duke dënuar dhe heshtjen e ndërkombëtarëve.

“Çdo përpjekje për të mohuar këtë masakër, por edhe çdo masakër tjetër në këtë rajon është një rrezik për riciklimin e dhunës” tha Meta.

Ndërkohë në orën 11:00, Meta do të jetë i pranishëm në Akademinë Përkujtimore në nderim të të rënëve.

Më 15 janar 1999 u ekzekutuan mizorisht 45 civilë shqiptarë në Reçak. Në mesin e tyre kishte burra, gra, pleq e fëmijë.