Hatixhe Topalli është mësuese e ciklit të ulët në shkollën fillore “Petar Zdravkovski Penko”. Edhe kjo shkollë, si gjithë tjerat në Maqedoni është mbyllur tani 10 ditë për shkak të epidemisë së Koronavirusit. Mirëpo mësuesja Hatixhe nuk ka humbur asnjë ditë të vetme mësimore, shkruan gazeta LAJM. Edhe pse nuk ka ndonjë obligim nga Ministria e Arsimit, ajo është organizuar menjëherë që nxënësit të mos shkëputen nga procesi mësimor. Fillimisht nxënësve ua ka dërguar detyra përmes rrjeteve sociale, e më pas ka filluar ligjërata online në internet.
“Unë fillova menjëherë kontaktova me prindërit e nxënësve dhe lëshuam disa libra digjitale të përgatitura nga organizata të ndryshme dhe nxnëësit i obligova që të lexojnë diçka. Pastaj ne filluam në mënyra tjera dhe erdhi ideja që të fillojmë me një program të lehtë të ligjerojmë online. Tani jemi më të ngarkuar se sa kemi qenë në shkollë. Ne e përcjellim gjithë punën e nxënësve. Detyrat e shtëpisë të gjithë nxënësit i kthejnë në mënyrën e vet dhe ne jemi të obliguar një nga një t’i kontrollojmë”, tha mësuesja Topalli.
Edhe pse ligjërimi online është më i vështirë në krahasim me mësimin klasik, mësuesja Hatixhe Topalli thotë se me vullnet arrihet gjithçka.
Sipas mësueses Hatixhe Topalli, nxënësit e saj që janë klasa e pestë kanë mirëpritur dhe e kanë pëlqyer këtë formë të mësimit. “Mundohemi që sa më lehtë nxënësit t’i marrin mësimet online dhe kjo nuk është e lehtë. Çdo ditë e kemi kohën e caktuar. Unë kam 36 nxënës dhe ata mezi presin të kyçen në mësimin online. Ne mësuesit kemi më shumë punë, por mësimi po shkon në rregull. Ne jemi të gatshëm të punojmë edhe më tepër por do të bëjmë gjithçka që nxënësit të mos e humbin vitin”, u shpreh mësuesja nga Shkupi.
Shumë prej tyre madje kërkojnë që mësimi online të vazhdohet edhe pasi të kalojë epidemia.
Ajo është optimiste se situata do të normalizohet dhe se nxënësit do të kthehen në bankat shkollore, kështu që do të mund të bëhet notimi i tyre dhe nuk do të ketë nevojë për përsëritje të vitit shkollor. “Ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe nuk guxojmë t’i lodhim nxënësit në mësimin online dhe mos të dalim jashtë planit. Unë nuk kam asnjë njësi prapa edhe pse orët janë më të shkurtuara.
Ligjërimin on-line kanë filluar ta aplikojnë edhe arsimtarë dhe profesorë tjerë, me qëllim që të mos lejojnë shkëputjen e nxënësve nga procesi mësimor. /Senehate Nimani, Muhamedin Osmani – Gazeta LAJM
Njihuni me mësuesen shqiptare nga Shkupi që nuk e ndali mësimin as në kohën e Koronavirusit
Njihuni me mësuesen shqiptare nga Shkupi që nuk e ndali mësimin as në kohën e Koronavirusit
Posted by Lajm TV on Thursday, March 26, 2020