Kur bëhet fjalë për Lionel Messi, historia dhe magjia duket se ecin gjithmonë krah për krah.
Kapiteni i Argjentinës ka shkruar një tjetër kapitull të jashtëzakonshëm në karrierën e tij, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, pasi kaloi rekordin e mbajtur prej vitesh nga Miroslav Klose.

Në ndeshjen ndaj Austrisë, Messi pati fillimisht mundësinë të thyente rekordin nga pika e bardhë, por gaboi një penallti. Megjithatë, legjenda argjentinase reagoi si vetëm ai di, duke realizuar më vonë golin që e vendosi i vetëm në krye të renditjes historike të Botërorëve.
Por mbrëmja nuk u ndal me kaq. Messi realizoi edhe një gol të dytë, duke zgjeruar më tej rekordin e tij dhe duke kaluar gjithashtu edhe rekordin historik të Marta (futbolli i femrave) për numrin total të golave në Kupat e Botës.
Ky është Botërori i gjashtë për argjentinasin, një arritje që deri pak kohë më parë konsiderohej e pamundur. Në moshën 38-vjeçare (për një ditë 39), ai vazhdon të dominojë në skenën më të madhe të futbollit botëror, duke sfiduar kohën dhe çdo parashikim.
Edhe pse futbolli modern është bërë më i shpejtë dhe më fizik, Messi vazhdon të kontrollojë lojën me qetësinë dhe inteligjencën që e kanë karakterizuar gjatë gjithë karrierës së tij. Me pasimet, driblimet dhe golat e tij, ai mbetet pika rreth së cilës rrotullohet loja e Argjentinës.
Pas më shumë se dy dekadash në elitën e futbollit, për shumë tifozë dhe analistë nuk nevojiten më superlativa për ta përshkruar. Mjafton një fjalë: Messi.



