Lionel Messi e ka shprehur pikëllimin e thellë për vdekjen tragjike të legjendës së basketbollit amerikan, Kobe Bryant, duke thënë se një gjeni i vërtetë sapo e braktisi botën.
Bryant dhe vajza e tij 13-vjeçare, Gianna, bashkë me shtatë persona të tjerë, humbën jetën të dielën nga rrëzimi i helikopterit me të cilin po udhëtonin, raporton Gazeta Express.
41-vjeçari, i cili i kaloi 20 vjet me ekipin e basketbollit në NBA Los Angles Lakers, humbi jetën kur helikopteri me të cilin po udhëtonte shpërtheu në flakë pas rrëzimit në një kodër në Calabasas si pasojë e mjegullës.
Ylli argjentinas i Barcelonës, Messi, i cili njihej me Bryant nga reklamat që i bënin bashkë për kompanitë e mëdha botërore, i ka shprehur ngushëllime familjes së të ndjerit.
“Nuk kam fjalë… me mendje jam me familjen dhe miqtë e Kobe. Ka qenë kënaqësi ta takoja atë dhe të kalonim kohë të këndshme së bashku. Një gjeni i vërtetë na braktisi”, ka shkruar Messi në rrjetet sociale.
Bryant dhe Messi kishin krijuar një miqësi vite më parë dhe argjentinasi i kishte uruar pensionim të këndshëm nga basketbolli atij më 2015./Gazeta Express/