Messi nuk mburret, por veturat e tij vlejnë sa dyfishi i atyre të Ronaldos

Koleksioni i makinave të Lionel Messit është vlerësuar të jetë si më i shtrenjti në mesin e sportistëve.

Messi u rendit i gjashti në listën e njerëzve me makinat më të shtrenjta, me totalin e vlerës së makinave të lojtarit të PSG-së dyfish më të madh sesa gama e automjeteve të boksierit Floyd Mayweather, i cili u rendit i nënti në listën e hartuar nga shkolla e ngasjes, Bill Plant, e cila i vlerëson koleksionet e 30 fytyrave të famshme.

Garazhi i Messit vlerësohet të jetë 45 milionë euro, krahasuar me 22 milionë euro të Mayweather.

Sipas portalit AutoBizz, koleksioni i argjentinasit përbëhej nga 13 automjete, ku më e shtrenjta është Ferrari 335 S Spider. Makina vlerësohet të ketë vlerën e 32 milionë eurove, dhe përbën pothuajse tre të katërtat e vlerës totale të koleksionit.

Messi gjithashtu zotëron një Pagani Zonda, Mercedes SLS AMG dhe Maserati Gran Turismo, si dhe disa Range Rover.

Sa i përket sportistëve të tjerë që figurojnë në listë, lojtari i golfit Poulter renditet në vendin e 10-të falë koleksionit të tij me vlerë 22 milionë euro.

Cristiano Ronaldo u rendit në vendin e 11-të, me vlerën e makinave në 20 milionë euro, ndërsa David Beckham në të 12-in me 18 milionë euro.

Megjithatë, asnjë nga këto koleksione nuk i afrohet atij të njeriut në krye të listës, me koleksionin e makinave të Hassanal Bolkiah që vlerësohet në 5 miliardë euro.

Bolkiah është Sulltan i Butanit dhe ka një vlerë neto prej 15 miliardë eurosh.

Ai është gjithashtu xhaxhai i ish-lojtarit të Chelseat dhe Leicester Cityt, Faiq Bolkiah, i cili besohet të jetë futbollisti më i pasur në botë për shkak të të qenit trashëgimtar i pasurisë së xhaxhait të tij.