Messi ka blerë një vilë spektakolare në Miami në vlerë prej 10 milionë eurosh

Lionel Messi është duke kaluar një periudhë të shkëlqyer në Shtetet e Bashkuara të Amerikës te Inter Miami, ku shënon shifra rekorde në fitime.

Superylli i futbollit, i cili nënshkroi kontratë prej dy vjet e gjysmë me klubin nga MLS, me përfitime sezonale ndërmjet 50-60 milionë dollarë, ka qenë në kërkim që ta zgjerojë portofolin e pronave prej se iu bashkua klubit nga Florida.

Goal njofton se ai ka blerë një pronë të re luksoze në Fort Lauderdale në vlerë prej afro 10.8 milionë dollarë (10 milionë euro), e cila ka 10 dhoma gjumi, spa, dy doke varkash e një pishinë.

 

Ai ka pasur një apartament luksoz në Miami në vlerë prej nëntë milionë dollarësh dhe ka dy apartamente të tjera në Sunny Isles Beach, por ka qenë në kërkim të një shtëpie me bashkëshorten Antonela Roccuzzo.

Prona e re që ka rreth 1.600 metra katrorë ndodhet vetëm tetë kilometra larg stadiumit, ndërsa veç tjerash ka edhe një palestër personale dhe një kuzhinë të veçantë të ndërtuar në stilin italian. /Telegrafi/