“Messi duhet të shkojë në Juventus për të luajtur së bashku me Ronaldon”

Pas largimit të Messit nga Barcelona, spekulimet nuk po ndalen për destinacionin e ardhshëm të argjentinasit.

Raportohet që Lionel Messi është më afër transferimit tek PSG, se tek ndonjë skuadër tjetër, megjithatë ende nuk ka asgjë zyrtare.

Sidoqoftë, mesfushori i Everton James Rodriguez mendon se Messi duhet të shkojë në Juventus për të luajtur përkrah Ronaldos, pasi sipas kjo do të ishte një ëndërr e shumë tifozëve për t’i parë duke luajtur së bashku.

“Messi duhet të shkojë në Juventus dhe të luajë me Cristiano Ronaldon,” theksoi James në një intervistë përpara testit të fundit parasezonal të “Toffees” kundër Manchester United.

“Do të ishte një bombë. Është ëndrra e shumë tifozëve t’i shohin ata të dy të luajnë së bashku.

“Messi arriti të paktën 30 gola dhe 30 asistime për Barcelonën në vit. Tani ata do të duhet të kërkojnë lojtarë të tjerë për ta bërë këtë”, përfundoi Rodriguez.