Mësimi Online apo Offline?

Një pjesë e mirë e popullatës e ka përjetuar pandeminë në kushtet e varfërisë absolute, ndërkohë që Ministria e Arsimit e quante të mirëqenë që çdo familje të kishte kompiuterë dhe celularë, të zotëronin teknologjinë madje në disa raste si të ishin mjeshtra të shkencave kompiuterike sepse për disa arsimtarë të cilët u diplomuan në kushtet ende mesjetare të aulave të Maqedonisë ishte me të vërtetë e tillë kjo punë. Nisi kështu një aventurë e vërtetë me mësues të ankthuar, profesorët e kishin disa më të lehtë sepse studentët janë më të rritur e më të menaxhueshëm…

Arben Taravari

Tash më disa muaj, më saktë prej kur u shpall gjendja e Jashtëzakonshme në Maqedoni, u bë edhe mbyllja e çdo niveli shkollor. Si në shumë vende të botës u vendos që mësimi mos të ndalohej krejtësisht por të zëvendësohej me forma alternative dhe kështu nisi edhe aventuara e mësimit online. Me këtë rast, arsimtarë të cilët punonin nëpër shkolla ku edhe kompjuterat ndizeshin sipas humorit të vitit të prodhimit, arsimtarë të cilëve ju duhej të kursejnin disa rroga për të pasur një teknologji të përafërt me kolegët e tyre italianë apo danezë, ju desh të shkretëve të zhvillonin “mësim online”. Një pjesë e tyre, të diplomuar pa fajin e tyre, në një kohë ku telefoni i zgjuar apo “smartphone” nuk ishte shpikur ende, aq të varfër sa nuk kishin dhe nuk kanë mundësi ekonomike për të pasur telefona dhe aq të zgjuar, hoqën të zitë e ullirit për të realizuar sfidën e cila duket se rezultoi për shumë vende të botës një iniciativë e dështuar për të zëvendësuar mësimdhënien e vërtetë.
Pra, mësues që deri dje kishin shkuar në shkolla ku pikonte tavani, me dyer që ishin duke rënë, të hënën shkonin në punë dhe të martën largoheshin me urdhër të shefit partiak për të mos t’u kthyer më, pra këta mësues që dukeshin si viktima të ndonjë sistemi diktatorial, këta papritur u ftuan të luanin onllajnçe si hollandezët apo norvegjezët. Sikleti, paradoksi botëror që zaptoi gjithë arsimtarët e globit ishte shumë më i madh në vendet e varfëra ku ne kemi një vend nderi për fat të keq prej kohēsh…ky stërmundim u reflektua tek më të pafajshimit…FËMIJËT! Me një rrjet interneti aq të dobët sa nuk mund të quhet as rrjet por maksimumi një gërshet në tentativë, me kompiutera dhe celularë, shumica aq të vjetër sa po t’i dorëzohen muzeve mund t’i blejnë si dëshmi historike, u zhvillua mësimi i pandemisë. Asnjë iniciativë e Ministrisë së Arsimit nuk bëri që fëmijët të kishin biseda virtuale me psikologët e shkollave, asnjë iniciativë e Ministrisë sē Arsimit nuk studoi një formë më të përshtatshme për kushtet e Maqedonisë që të funksiononte mësimdhënia por u zgjodh copy-paste, ajo çfarë po bënte bota, të bënim edhe ne, duke harruar se kush jemi ne!
Një pjesë e mirë e popullatës e ka përjetuar pandeminë në kushtet e varfërisë absolute, ndërkohë që Ministria e Arsimit e quante të mirëqenë që çdo familje të kishte kompiuterë dhe celularë, të zotëronin teknologjinë madje në disa raste si të ishin mjeshtra të shkencave kompiuterike sepse për disa arsimtarë të cilët u diplomuan në kushtet ende mesjetare të aulave të Maqedonisë ishte me të vërtetë e tillë kjo punë. Nisi kështu një aventurë e vërtetë me mësues të ankthuar, profesorët e kishin disa më të lehtë sepse studentët janë më të rritur e më të menaxhueshëm, por për më të vegjlit kjo ishte një torturë që për perceptimin e tyre fëmijnor zuri vendin e parë të shqetësimit! Nëse Do të bëhej një sondazh sot dhe do të intervistoheshin fëmijët se cila ishte përvoja më shqetësuese e pandemisë, pa asnjë mëdyshje do të përgjigjeshin “mësimi online” dhe aspak COVID-19. Disa arsimtarë, sigurisht nga ata që i mban në punë partia dhe jo shkolla bënin edhe eksperimente duke caktuar orë mësimore në orën 22.30 të natës për fëmijë të moshës të atillë që në atë orë duhet të ishin absolutisht duke fjetur. Prindërit ishin spektatorë të hutuar dhe të munduar të një kaosi pseudo-arsimor. Dëshmitarë të parodisë online ku më shumë nuk dëgjoheshin dhe as nuk shiheshin mësuesit, të shqetësuar për fëmijët e tyre të cilët kanë aq shumë detyra për të bërë sa sasisa e tyre po tejkalon edhe kohën prepandemike, ata ishin dhe janë të pafuqishëm në këtë tragji-komedi. Ndërkohë që me studentët kjo që po ndodh është në kufijtë e krimit, sidomos për ata të cilët ju takojnë mjeshtrive delikate që lidhen direkt me cilësinë e jetës, drejtime si mjekësia apo inxhineria e ndërtimit, ku një gabim mund të kushtojë nga një deri në mijëra jetë njerëzish. Si mund të pretendohet që një periudhë e gjatë akadamike të zavendësohet me këtë lojën sfilitëse të pasukseshme online?!
Bëj thirrje, apeloj tek të gjithë organet kompetente që të shqyrtohet sa më shpejt një plan që do të mbushë boshllëkun e krijuar në muajt pandemik. Le të themi që ky ishte një eksperiment i pasukseshëm por është e padrejtë që pasojat e këtij dështimi të bien mbi kurrizin e shtetit të nesërm! Sepse me sistemin e deritanishëm online kemi nxjerrë offline qindra e mijëra arsimtarë, profesorë, nxënës e studentë të cilët nuk duhet të jenë viktima të vazhdueshme të këtij sistemi i cili edhe pse e di që nga cilësia i përket vende të botës së tretë, kërkon të ketë rezultatet e superfuqive botërore…si qëllim është i shkëlqyer por mënyra është e gabuar! Ju mungon vetëm shkopi magjik dhe një Hokus Pokus e nesër të ndjehemi të gjithë finlandez…nuk është përrallë! Janë jetë njerëzish, e sidomos janë të përfshirë fëmijët dhe të rinjtë, ndihmojini nëse nuk doni që ky shtet delikat të jetojë ditë edhe më të vështira…