Mesazh nga Londra: Rusia nuk po fiton luftën

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditura detaje nga takimi i zhvilluar në Londër me kryeministrin britanik Keir Starmer, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Friedrich Merz.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelensky tha se diskutimet u fokusuan te situata në front, mbështetja ushtarake për Ukrainën dhe hapat e ardhshëm diplomatikë për t’i dhënë fund luftës.

Presidenti ukrainas falënderoi tre liderët evropianë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kievit, duke theksuar se takimi u zhvillua në formatin E3-Ukrainë.

Sipas Zelensky-it, ai informoi partnerët për gjendjen në fushëbetejë dhe humbjet që po pëson Rusia.

“Për pesë muaj radhazi, agresori ka humbur më shumë se 30 mijë ushtarë të vrarë dhe të plagosur. Vlerësimet tona përputhen me ato të partnerëve tanë: Rusia nuk po fiton në fushëbetejë dhe goditjet tona në thellësi kufizojnë ndjeshëm aftësinë e saj për të zgjeruar agresionin”, tha ai.

Megjithatë, presidenti ukrainas theksoi se mbetet jetike forcimi i mbrojtjes kundër raketave balistike që, sipas tij, Rusia vazhdon të përdorë kundër qyteteve dhe komuniteteve ukrainase.

Zelensky bëri të ditur se në takim u diskutuan edhe mënyrat për të intensifikuar përpjekjet diplomatike dhe për të rritur rolin e Evropës në procesin e negociatave.

“Ka qenë gjithmonë prioritet i Ukrainës që pozicioni dhe zëri i Evropës në negociata të jenë të fortë. Falënderoj Britaninë, Francën dhe Gjermaninë për mbështetjen dhe gatishmërinë për të ndihmuar. U ra dakord që ekipet të punojnë për hapat e ardhshëm”, u shpreh ai.

Zelensky mbërriti në Britaninë e Madhe më 7 qershor për takime me Starmer, Macron dhe Merz.

Pas përfundimit të bisedimeve, liderët e Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, së bashku me presidentin ukrainas, publikuan një deklaratë të përbashkët ku nënvizuan nevojën për përfshirjen e Evropës në procesin e zgjidhjes së luftës ruso-ukrainase.

Në deklaratë u përcaktuan gjithashtu pesë kushte që, sipas tyre, duhet të përmbushen për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.