Mes kërcënimeve për bombardim të Kievit, të mërkurën takohen sërish delegacionet e Rusisë e Ukrainës

Një raund i dytë bisedimesh mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës është parashikuar të zhvillohet të mërkurën, raportoi Agjencia ruse e Lajmeve, TASS, duke cituar burime nga pala ruse.

Raundi i parë i bisedimeve u realizua pranë kufirit mes Bjellorusisë dhe Ukrainës të hënën dhe përfundoi pas rreth gjashtë orësh pa asnjë rezultat, por të dy palët pranuan të takoheshin sërish. Vendi këtë herë pritet të jetë tjetër, pasi ukrainasit kërkuan ndryshim, duke propozuar Turqinë, Poloninë apo Hungarinë.

Lajmi për ritakim të delegacioneve vjen në një kohë kur Ministria ruse e Mbrojtjes paralajmëroi banorët e Kievit të largohen nga shtëpitë pasi do të nisë një fushatë bombardimesh në kryeqytetin ukrainas. Më herët u raportua se nja karvan disa dhjetëra kilometra i gjatë me mjete të rënda, tanke dhe artileri ruse i ishte drejtuar Kievit, pasi rusët duan me çdo kusht të marrin kontrollin e kryeqytetit.